Avokati i popullit, opozita shqiptare kundër emërimit të Ziberit

25.01.2021 19:11

Me shumë kritika nga opozita...

Me shumë kritika nga opozita, pasoi debati për emërimin e Naser Ziberit për avokat të popullit. Opozita shqiptare me fjalimet e njëpasnjëshme e quajti përmbushje të pazarit politik midis BDI-së dhe LSDM-së, pasi Ziberi s’arriti të emërohet kryeministër dhe kërkuan ndërprerjen e procedurës.

“Ne në mënyrë direkte i japim mesazh popullit duke thënë: o popull ne do të propozojmë një person pa kredibilitet, do të propozojmë një person mashtrues dhe juve s’ka kush ju mbron.”,- deklaroi deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.

“A nuk ju vjen rëndë që sot të vini këtu me mesazhin drejtuar shqiptarëve: Ne ju mashtruam për kryeministrin shqiptar, por kandidatin për kryeministër do ta shpërblejmë ndryshe. Si ju duket ky pazar, a ju pëlqen dhe a ju duket pazar i moralshëm?”,- tha deputetja e Alternativës, Safije Sadiki Shahini.

“Të përsëritet procedura, të hapim debatin e mirëfilltë publik në mënyrë që të vijmë deri tek një figurë e cila në mënyrë dinjitoze do ta kryej funksionin ashtu siç i takon avokatit të popullit.”,- theksoi deputeti i ASh–së, Syrija Rashidi.

Emërimi i Naser Ziberit u kundërshtua edhe nga VMRO–DPMNE–ja.

“Kjo sot s’do jetë zgjedhje. Kjo vetëm se do të jetë vërtetim ose vendosje të vulës mbi marrëveshjen partiake politike. Kjo është mjaft e qartë për të gjithë.”,- tha deputetja e VMRO–DPMNE–së, Gordana Siljanovska - Davkova.

BDI: Ziberi, emër i qëlluar për ombudsman

Por, për BDI–në, Ziberi është emri më i qëlluar për avokat populli, duke mos saktësuar se kush do të ishte kryeministër për 100 ditë qeverisje ashtu siç kishin premtuar.

“Në nenin gjashtë theksohen kushtet e përgjithshme, por askund nuk përmendet se nuk mund të zgjidhet avokat I popullit personi i cili ka qenë i propozuar si kandidat për kryeministrin e parë shqiptarë.”,- deklaroi deputetja e BDI–së, Fisnike Bekteshi.

“Nuk kam asnjë dilemë që zotëri Ziberi mund ta ushtron edhe postin e avokatit të popullit në mënyrë të shkëlqyer dhe kjo do të jetë arsyeja që e votoj sot, por kjo nuk e përmbyll dilemën tuaj dhe të qytetarëve se duhet një sqarim më i mirë para qytetarëve për çështjen e zotit Ziberi si kryeministër shqiptarë.”,- theksoi deputeti i BDI–së, Izet Mexhiti.

Emërimi i Ziberit për tetë vitet e ardhshme avokat të popullit, vjen pasi bartësi i deritanishëm i këtij funksioni, Ixhet Memeti, u emërua anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë. (Meral Ismaili, TVM2)