VMRO-DPMNE: Zaev manipuloi me rastin “Monstra”

25.01.2021 19:14

VMRO-DPMNE-ja ka akuzuar kryeministrin, Zoran Zaev....

VMRO-DPMNE-ja ka akuzuar kryeministrin, Zoran Zaev, për manipulim me rastin “Monstra”, për përfitime politike. Sipas partisë opozitare maqedonase, kryeministri Zaev që nga viti 2015 ka arritur që të përfitojë pikë politike në kurriz të familjeve të atyre të cilët janë përfshirë në rastin “Monstra”, pasi disa herë publikisht ka deklaruar se personat të cilët janë të akuzuar në rastin “Monstra” janë të pafajshëm, duke theksuar se posedon edhe materiale të përgjuara.

“Të gjitha gënjeshtrat e tij dolën në sipërfaqe dhe pikërisht për këtë Zaev është monstrumi më i madh sesa vet ata të cilët e kanë kryer vrasjen, sepse ky e ka vrarë opinionin dhe familjet e viktimave me gënjeshtrat e tij. Zaev në stilin e tij mirë të njohur tani largohet nga të thënat e tija gjatë këtyre viteve. Por, Zaev jo vetëm për rastin “Monstra”, Zaev në mënyrë të paturpshme gënjente edhe në rastin me Tamarën e vogël, vdekja e Martin Neshkovski, Nikolla Mlladenov, por edhe për rastin e Lagjes së Trimave në Kumanovë. Ndërsa për fat të keq asnjë nga këto raste nuk kanë marrë epilog ashtu siç ka paralajmëruar Zaevi.”,- deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski.

VMRO-DPMNE-ja po ashtu ka lëshuar disa video incizime me të cilat Zaev qysh në vitin 2015 kishte premtuar se do ta zbardhë të vërtetën për rastin “Monstra”, duke theksuar se për këto gënjeshtra një ditë Zaev patjetër do të mbajë përgjegjësi.

Këto akuza erdhën një ditë pasi Kryeministri Zaev kishte pohuar se ai asnjëherë nuk ka përmendur persona të tjerë si fajtorë për rastin.

Ai, sipas tij, ka dhënë komente, për atë që u njoftua në opinion, duke lexuar aktgjykimet që ishin në dispozicion atëherë, por gjithmonë sipas tij ai kishte thënë se fjalën e fundit për këtë rast e ka gjyqësori. (Fitim Kryeziu, TVM2)