Tetovë, protesta në rrugën industriale
Banorët e lagjes industriale në Tetovë...

Banorët e lagjes industriale në Tetovë nëpërmjet protestës dhe bllokimit të rrugës kërkojnë nga komuna e Tetovës që pa humbur kohë dhe jetë tjera të njerëzve të merren masa sigurie, pasi sipas tyre çdo vit po humbim nga një person.
Në protestën e sotme ishte prezent edhe babai i vajzës 6 vjeçar që javë më parë u godit nga makina dhe humbi jetën, ai kërkon që të merren masa sa më shpejtë.
“Duhet të merren masa menjëherë, mua më ndodhi rasti, mos i ndodhtë edhe dikujt tjetër. Të gjithë jemi me fëmijë, mos i ndodhtë edhe dikujt tjetër.”- tha Bashkim Memedi.
Kërkesat e protestuesve janë që në afat prej dy javësh komuna e Tetovës të vendosin policë të shtrirë, rruga të ndahet në mes me mburoja teli, të ndriçohen vendet ku ka vizëbardha dhe kërkon nga SPB - Tetovë që të shtojë kontroll të vazhdueshëm të policisë në këtë rrugë.
“Ne kërkojmë që këtu të bëhet siguria e nxënësve për të shkuar në shkollë. Kemi qenë në komunë, nuk di sa herë si lagje jemi takuar edhe me kryetaren e komunës, premtime kemi pas shumë, por deri sot asgjë nuk është bërë për këtë rrugë. Këtu humbim jetë fëmijësh.”,- u shpreh një protestues.
“Të ndërtohet një rreth i madh, gjysma e rrugës të ndahet në pjesë dhe atëherë nuk do ketë mundësi të rritet shpejtësia.”,- tha një protestues.
“Organet kompetente kanë dy javë afat për të dalë me strategji konkrete për rregullimin e kësaj çështje.”,- theksoi një protestues.
Nga komuna e Tetovës thonë se sa i përket vendosjes së pengesave në rrugë me qëllim kufizimin e shpejtësisë së automjeteve do të kërkojnë pëlqim nga SPB-ja. Për vendosjen e mbikalimit nga komuna thonë se do të veprojnë në kuadër të ligjit duke marrë parasysh faktin e kategorizimit të kësaj rruge si rrugë magjistrale.
Përndryshe, në këtë rrugë për çdo ditë kalojnë mbi 300 nxënës të Shkollës Fillore “Kirili e Metodi”, jeta e të cilëve është në rrezik. Kërkesa si të banorëve deri tash disa herë ka bërë edhe drejtoria e shkollës, por gjithmonë kanë hasur në veshë të shurdhur. (Visar Sadiki, TVM2)
