Mexhiti: Vitet 2015-2016, vite të investimeve kapitale në Çair
Viti 2015-2016, do të jetë viti i investimeve kapitale në Komunën e Çairit........

Kjo komunë ka kohë të gjatë që mendon seriozisht për zgjerimin dhe ndërtimin e rrugëve kryesore, të cilat janë më se të domosdoshme.
Numri “një” i Çairit, Izet Mexhiti, paralajmëron se bulevardet “Cvetan Dimov”, “Hristijan Todorovski-Karposh” dhe “Nikolla Karev”, nga viti i ardhshëm do të zgjerohen me korsi të reja të trafikut rrugor.
Projektet në fjalë realizohen në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit dhe të njëjtat janë në fazën e përfundimit.
“Viti 2015 është viti i investimeve kapitale nga Qyteti i Shkupit në Komunën e Çairit, në zgjerimin e rrugës “Kristian Todorovski-Karposh”, pjesërisht e rrugës “Cvetan Dimov”, d.m.th. rrugët të cilat janë arterie e Komunës së Çairit dhe bulevardi “Nikolla Karev”. Janë investime kapitale që duhet të fillojnë gjatë vitit 2015, ku projektimi i tyre është në përfundim të sipër. Janë investime ku nënkuptojnë miliona euro, gjithë kjo në funksion të qarkullimit më të mirë në Komunën e Çairit”- deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Një ndër problemet më të theksuara për zgjerim të rrugëve është “Rruga e plastikave”, që përfshihet në bulevardin “Nikolla Karev”. Në këtë vend, kompetentët thonë që do të ndërhyhet vetëm pasi të zgjidhen të gjitha kontestet juridiko-pronësore.
“Gjatësia e bulevardit të ri “Cvetan Dimov” do të përcaktohet së bashku me shërbimet përkatëse të Komunës së Çairit, ndërsa zgjerimi i bulevardit “Nikolla Karev” do të bëhet aq sa lejon mundësia. Duke pasur parasysh se në këtë zonë janë ndërtuar objekte të shumta, do të përpiqemi të vëmë në funksion edhe korsinë e katërt në këtë bulevard”- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
Ndërkohë, gjatë tri ditëve në vazhdim rrugët kryesore në Komunën e Çairit, që janë nën kompetencat e Qytetit të Shkupit, do të pastrohen.
Të gjitha ndërmarrjet publike,si “Parqet dhe gjelbërimet”, “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” dhe “Higjiena Komunale” do të bëjnë pastrimin e hapësirave, për t’u kryer punimet me sukses. Edhe ndërmarrja “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” do të punojë në drejtim të zhbllokimit të të gjitha kanalizimeve fekale. (Rexhep Qamili, TVM2)
