Maqedoni

Regjistrimi i popullsisë, Rexhepi: Statistika të zbardhë metodologjinë. Selami: Metodologjia zbardhet për dhjetë ditë. Ka dilema për manipulime në teren

27.01.2021 15:49

Opozita shqiptare kërkon nga Enti i Statistikës të zbardh metodologjinë e regjistrimit të popullsisë dhe amvisërive...

Opozita shqiptare kërkon nga Enti i Statistikës të zbardh metodologjinë e regjistrimit të popullsisë dhe amvisërive, përkundër dyshimeve që kanë ndaj këtij operacioni statistikor. Skender Rexhepi nga Alternativa, në Argument në TVM2 thotë se mosbesimi nis nga regjistruesit e deri tek nënshkrimi i lidhur i drejtuesve të Statistikës.

Zëvendës drejtori i Entit, Ilmi Selami, thotë se metodologjia do të zbardhet brenda dhjetë ditëve, ndërkaq nënshkrimin e lidhur  e vlerëson si garanci të regjistrimit të sigurtë.

“Pse është bë nënshkrimi i dyfishtë p.sh.? Është aspekti Afirmativ. Mos ta quajmë mosbesim, ta quajmë afirmativ?”,- tha Skender Rexhepi nga Ash – AAA.

“Jo, afirmativ. Kemi qenë në mënyrë të padrejtë të trajtuar në regjistrime. Tani është nënshkrimi im që garanton se është regjistrimi i bërë ashtu siç duhet apo nuk është. Kjo është garanci për një regjistrim të sigurtë.”,- tha zëvendësdrejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, Ilmi Selami.

“Si  keni planifikuar të zgjidhni për ata që mbesin jashtë regjistrimit? A mendoni se për 21 ditë do të përfshihen? Ne si opozitë jemi zotuar dhe vazhdojmë të zotohemi që nëpërmjet strukturave tona do të kemi kontakt me çdo vendbanim, çdo lagje, që nëse na paraqiten njerëz ku nuk janë paraqitur regjistruesit, atëherë ne do ta vëmë në pikëpyetje procesin e regjistrimit.”,- theksoi Skender Rexhepi nga ASh – AAA.

Selami thotë se regjistruesit do të jenë njerëz që njohin rajonet ku do të kryejnë regjistrimin, ndërkaq mënjon edhe dilemat e ekspertit juridik, Bashkim Selmanit, për manipulime në teren.

“Regjistrimet e fundit kur u bënë nga pavarësimi i Maqedonisë, të gjitha regjistrimet që I kanë bë në teren me laps dhe kur kanë ardhur në qendër të dhënat janë manipuluar dhe pikërisht këtu është dilema ime.”,- u shpreh eksperti juridik, Bashkim Selmani.

“Regjistrimi është i metodës së kombinuar, pasi llap-topi do të merret me vetë nga ana e regjistruesit dhe është i lidhur gjithnjë me qendrën. Në momentin që do të bëhet plotësimi i formularit regjistruesi ka për obligim t’ia tregojë atij të cilin e regjistron, shihe a janë këta të dhëna dhe shtyp enter dhe regjistruesi nuk ka mundësi që të kthehet ti korrigjojë.”,- deklaroi zëvendësdrejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, Ilmi Selami.

Regjistrimi që do të kushtojë 8.5 milion euro, do të zhvillohet në shtatë gjuhë nga 1 deri më 21 prill. Diaspora do të mund të regjistrohet një muaj më herët. 200 deri në 300 euro do të gjobiten personat që s’do pranojnë të regjistrohet apo ata që do të japin të dhëna të gabuara. Rezultatet e para të regjistrimit vijojnë në fillim të gushtit.

MERAL ISMAILI