Kovid-19, 9 të vdekur, 394 të infektuar dhe 387 të shëruar. Hoxha: Qeveria miratoi planin nacional për vaksinim
Virusi Korona u ka marrë jetën edhe 9 qytetarëve të vendit, ndërsa nga 2236 testime...

Virusi Korona u ka marrë jetën edhe 9 qytetarëve të vendit, ndërsa nga 2236 testime, 394 persona, apo 18% e të testuarve kanë rezultuar pozitiv. Po ashtu njoftohet edhe për 387 pacientë të shëruar. Që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 91555 raste, prej të cilëve 80 mijë e 8 janë shëruar, 2 mijë e 821 pacientë kanë humbur jetën, ndërsa aktualisht në vend janë edhe 8 mijë e 332 raste aktive me Covid-19.
Ndërkohë, autoritetet shëndetësore njoftojnë se gjatë muajit janar është përmirësuar dukshëm gjendja me përhapjen e virusit Korona. Që nga fillimi i këtij viti deri më 25 janar mesatarisht 313 persona janë diagnostifikuar me Kovid-19, apo 50% më pak në krahasim me 692 sa ishte mesatarja në dhjetor, apo një mijë e 10 në nëntor.
Siç bëjnë të ditur nga Instituti i Shëndetit Publik, në këtë periudhë janë regjistruar 7832 të infektuar, që është për rreth 4 herë më pak se sa mbi 30 mijë në nëntor dhe 21451 në dhjetor të vitit 2020. Po ashtu është ulur edhe numri i të vdekurve, pasi në nëntor mesatarisht janë regjistruar mbi 25 të vdekur në ditë, për tu ulur në 24 persona brenda një dite në dhjetorë, derisa në janar mesatarja e të vdekurve është ulur në 12 persona në ditë.
Ministria e Shëndetësisë po ashtu informon se është ulur edhe numri i Kovid pacientëve në trajtim spitalor, i cili në nivel vendi arrin në 584 pacient, pre të cilëve 262 në Kovid qendrat në Shkup dhe 320 në qytetet tjera të vendit. Në pritje të sasive të para të vaksinave anti Kovid nga Kompania “Fajzer”, Qeveria ka miratuar planin nacional për vaksinim. Sipas këtij plani, vaksinimi do të realizohet në tri faza, në të cilat përfshihen kategori të ndryshme të qytetarëve.
“Fazat do të jenë në përputhje me sasitë e para të vaksinave të qasshme dhe grupet e rrezikuara që kanë prioritet për vaksinim. Prioritet kanë tre grupe kryesore me qëllim të sigurimit të funksionimit të sistemit shëndetësor, të mbrohen personat me rrezik të madh nga sëmundjet obligimet dhe të mbahen shërbimet bazë të infrastrukturës kritike.”,- tha zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.
Sipas qeverisë sasitë e para të vaksinave nga kompania Fajzer në vend pritet të arrijnë në fillim të muajit shkurt. Po ashtu zëdhënësi i qeverisë Muhamet Hoxha bëri të ditur se Komisioni për Sëmundje Infektive ende nuk e ka njoftuar Qeverinë me vlerësimin e saj lidhur me propozimin e Ministrisë së Administratës që administrata të kthehet në punë me orar të plotë që nga një shkurti.
GYLTENE SINANI
