Carovska: Përkrahje nga drejtorët për reformat në arsim
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Milla Carovska ka realizuar takim me Shoqatën e drejtorëve...

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Milla Carovska ka realizuar takim me Shoqatën e drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme ku është biseduar për vijimin e arsimit në gjysmëvjetorin e dytë dhe proceseve reformuese në arsim.
Në takim drejtorët kanë dhënë përkrahje pa rezervë për reformat dhe kanë shprehur gatishmëri që tërësisht dhe me përkushtim të përfshihen në tërë procesin e implementimit.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Milla Carovska ka potencuar se me reformën për herë të parë nxënësit vendosen në fokus të arsimit, ndërsa arsimtarët janë hallka kyçe e arsimit.
Njëherit ministrja e Carovska ka mohuar se drejtorët dhe mësuesit po iu bëjnë presion maturantëve të cilët po bojkotojnë mësimin.
“Numri i nxënësve që bojkotojnë mësimin po bie çdo ditë, edhe dje kam apeluar që prindërit dhe mësimdhënësit të kenë kujdesë për nxënësit që janë nën presion nga moshatarët. Më shumë se 14 mijë nxënës janë paraqitur për maturë shtetërore”, ka theksuar Carovska.
Por, Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme ende nuk ka njoftuar për ndryshim të qëndrimit për bojkot me kërkesën për shkurtimin e materialit dhe zvogëlimin e lëndëve për maturën shtetërore.
