MSh: Këtë sezon 73% më pak raste me grip sezonal
Në sezonin 2020-2021 janë regjistruar 433 të infektuar nga gripi sezonal, që është për 73.2% ...

Në sezonin 2020-2021 janë regjistruar 433 të infektuar nga gripi sezonal, që është për 73.2% më pak në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar dhe për 86.3% më pak krahasuar me kurbën tipike sezonale.
Siç bën të ditur Ministria e Shëndetësisë, numri më i madh i të prekurve janë të grupmoshës nga 15 deri 64 vjeç – 190 raste, kurse incidenca më e lartë regjistrohet tek fëmijët e moshës nga 0 deri 4 vjeç. Në javën e dytë të vitit 2021, janë regjistruar 36 raste me gripin sezonal, që është për 18 raste më shumë se sa në javën e njëjtë të vitit 2020.
Deri në javën e dytë të këtij viti, kundër gripit sezonal janë vaksinuar 48 mijë e 406 persona. Prej tyre, 37 mijë e 870 janë vaksinuar me vaksinën pa pagesë, derisa 10 mijë e 536 janë vaksinuar me vaksina komerciale.
Sipas autoriteteve shëndetësore masat anti-Covid kanë kontribuar edhe në uljen e numrit të personave të prekur nga gripi sezonal. Vaksinimi kundër gripit sezonal është mbrojtja më efikase – thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
