Tension në kuvend, ASH-AAA kërcënon me bllokim të foltores
Tensionohet situata në Parlament....

Tensionohet situata në Parlament. Opozita shqiptare kërcënoi me bllokimin e foltores së Parlamentit për shkak të pakënaqësisë lidhur me përpilimin e listës së deputetëve për t’i parashtruar pyetje ekzekutivit.
Përkatësisht opozita shqiptare konsideron si tendencioze që kreu i opozitës shqiptare, Ziadin Sela, të vendoset i pesti në listë për t’i parashtruar pyetje ekzekutivit. Akuzuan kreun e Kuvendit, Talat Xhaferi për tentativë me paramendim për të shurdhuar zërin e opozitës shqiptare.
“Në rast se kemi parasysh se numri i deputetëve që zakonisht arrijnë të shtrojnë pyetje nuk mund të kalojnë numrin 11, deri te numri 11 deputetë shqiptarë janë paraparë, tre. Raporti është dy me një në favor të pozitës. Ndërsa deputetët tjerë joshqiptarë që dalin nga lista e VMRO-së, LSDM-së, dhe e së Majtës janë tetë dhe, raporti i tyre është shtatë me një, në favor të opozitës. Kjo flet qartë për qëllimin që duhet të arrihet me këtë mënyrë të qasjes së punës së Kuvendit.” – tha deputeti i ASH-së, Surija Rashidi.
Xhaferi: Dorëzuan listën jashtë afati
Kreu i Kuvendit, nga ana tjetër, sqaroi se opozita shqiptare kishte dorëzuar plotësimin e listës, jashtë afateve të Rregulores, por inkuadrimi i tyre në listën përfundimtare ka ndodh për shkak të vullnetit të tij të mirë.
“Të isha deri në fund, atë që thashë se për korrektësi nuk e kam respektuar deri në fund, këtë listë duheshte t’jua kthej dje, juve. Por, për korrektesi, nuk ua kam kthyer pasi bëhet fjalë për kryetarin e partisë, të jetë i pari, edhe pse në listën paraprake nuk e keni paraparë. Dhe, ne ende nuk kemi arritë te fillimi i zbatimit të listës, jemi në procedurën e parashtrimit të përgjigjeve të deputetëve që kanë marrë përgjigje me shkrim mes dy seancave dhe kur të vijmë te lista mund sërish të bisedojmë.” – u shpreh Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Për dallim nga kërcënimi fillestar për të bllokuar foltoren e Kuvendit, deputetët e koalicionit ASH-Alternativa, në shenjë revolte, u tërhoqën nga lista për parashtrim pyetje deputetësh dhe paralajmëruan se në të ardhmen nuk do të lejojnë mbajtjen e seancave për pyetje deputetësh nëse nuk rradhiten mes dy deputetëve të parë në listën për të parashtruar pyetje. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
