Regjistrimi i popullsisë, kreu shtetëror fton në mbështetje të procesit
Kreu shtetëror ftoi në bashkëpunim të gjithëmbarshëm....

Kreu shtetëror ftoi në bashkëpunim të gjithëmbarshëm dhe konsesus politik për realizimin e procesit të regjistrimit dhe lënien anash të bojkotit. Presidenti, Stevo Pendarovski, në takimin me kryetarët e komunave, kërkoi mbështetjen e tyre në depolitizim të regjistrimit, largimin e frikës se varësisht numrave do të rrezikohen të drejtat e qytetarëve. Sipas Pendarovskit nga rezultatet varet vetëm zhvillimi i ardhshëm i shtetit e në veçanti të komunave.
“Na nevojitet regjistrim, rezultatet e të cilit s’do kontestohen dhe parakusht për këtë është që të kemi konsensus politik se pavarësisht rezultateve të drejtat e askujt s’do rrezikohen, s’do merren. Regjistrimin do ta depolitizojmë vetëm nëse të gjithë faktorët relevant politik dërgojnë porosi të qarta deri tek qytetarët në këtë drejtim.”,- deklaroi presidenti, Stevo Pendarovski.
Kryeministri, Zoran Zaev, ftoi opozitën të kyçet në këtë operacion statistikor përkundër bojkotit të paralajmëruar, i cili dëmton zhvillimin e shtetit dhe pengon investimet e huaja.
“Bojkoti sjell vetëm konfuzion në mesin e qytetarëve dhe dëm serioz. Është sjellje e papërgjegjshme se me mos zbatimin e regjistrimit bëhemi vendi i vetëm i cili s’do mund të planifikojë çfardo zhvillimi në aspektin ekonomik, arsimor dhe kulturor, shpie vendin në humnerë dhe e bën vrimë të zezë në botë dhe të izoluar.”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, tha se rol të rëndësishëm do të luajnë edhe qytetarët me dhënien e të dhënave të sakta për një pasqyrë reale statistikore.
“Të mbledhim forcat, të lëmë anash të menduarit tonë egoist dhe të ngritemi mbi situatën, t’i pranojmë rezultatet e regjistrimit dhe të zhvendosemi nga ai qorrsokak ku kemi ngecur me konstruktin tonë mental, anakronik që mos të vijë radha të bëjmë regjistrimin e banorëve të shpërngulur dhe të mbetur në RMV.”,- u shpreh kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi.
Shilegov: Komunat gati për operacionin statistikor
Komunat u zotuan për mbështetjen e tyre por presin detajet e veprimit.
“Nuk bëhet fjalë për rritje të shpenzimeve materiale të komunave për t’u kyçur në procesin e regjistrimit. Unë theksoj rëndësinë e regjistrimit për hir të planifikimeve që do të mund ti bëjmë në bazë të të dhënave reale.”,- theksoi kryetari i BNJVL-së, Petre Shilegov.
Simovski: Metodologjia publikohet javën tjetër
Nga Enti Shtetëror i Statistikës së shpejti do të publikojë metodologjinë e regjistrimit.
“Metodologjia është gati. Të mërkurën Enti i Statistikës ka mbledhje, ku sërish do të shqyrtojë variantin final dhe nëse ka vërejtjeve konstruktive do t’i vëmë në metodologji dhe të njëjtën ta publikojmë.”,- tha drejtori i Entit Të Statistikës, Apostoll Simovski.
Takimi u organizua nga Enti Shtetëror i Statistikës për regjistrimin që pritet të mbahet në prill të këtij viti, të pas dy dekadave në vend. (Meral Ismaili, TVM2)
