Problemi i ujit të ndotur në Strugë, ujësjellësi: Kemi marrë masa për zgjidhjen e problemit

29.01.2021 17:07

Qytetarët e Strugës ankohen se ka disa muaj...

Qytetarët e Strugës ankohen se ka disa muaj që kanë problem me ujin e pijshëm. Ata  thonë kur ka reshje të mëdha të shiut, uji ndotet dhe merr ngjyrë kafe dhe përveç se nuk është i pijshëm, nuk mund të përdoret as për pastrim.

Megjithëse momentalisht uji nuk është më i turbulluar, qytetarët thonë se blejnë ose e filtrojnë ujin sepse nuk është i sigurt për pije.

“Ditët që kishte reshje shiu patëm probleme 3 ditë sepse uji ishte i turbullt por pas 3 ditësh filloi të pastrohet. Në realitet uji nuk është aq i pastër për pije, megjithëse ne përdorim filtrimin dhe e përdorim.”,- tha qytetar.

“Unë ka gjatë kohë që pijë ujë të filtruar, për shkak se e di që prej kur u vendos ujësjellësi në Belicë, shpesh ka pasur papastërti, ndoshta nuk është bakteriale por është i ndotur”,- tha një qytetar.

“Ka probleme, më së shumti ka verës se tash më 10 ora biem flemë.”,- u shpreh një qytetar.

Nga Ndërmarrja e “Ujësjellësit dhe kanalizimeve” - Strugë thonë se është gjetur zgjidhje e problemit. Ata së bashku me pronarin e hidrocentraleve në Belicë të Epërme, Koço Angjushev, kanë krijuar ekipe për të inspektuar problemet dhe për t’ju siguruar qytetarëve ujin e pijshëm.

“Kohët e fundit kemi pasur disa raste që është ndotur uji, mirëpo herën e fundit zgjati rreth një javë, për atë arsye ne thirrëm pronarin e elektranave që kemi lidhur në burimet tona. z. Koço Angjushev, patëm një mbledhje në prani edhe të kryetarit të komunës, Ramiz Merko, nga ku sollëm disa përfundime që ne ta zgjidhim këtë problem me ujin e pijshëm. Menjëherë atë ditë krijuam ekipe të cilët atë ditë shkuan lartë që të inspektojnë vendin, do shihet nga të gjithë pjesë që të dimë ku është problemi. Pas asaj, ramë dakord që të vendosim edhe dy ventila për ujin e tepërt i cili mendojmë që është një nga arsyet që e ndot ujin, të kalojë në gypin tjetër që është rezervë.”,- u shpreh drejtori i NP “Ujësjellësi dhe kanalizimit” – Strugë, Dashmir Nasufi.

Nga ujësjellësi gjithashtu thonë se edhe për problemin me mungesën e ujit dhe shtypjes së ulët gjatë sezonit veror, është gjetur zgjidhje. Ata thonë se një nga arsyet për këtë problem është edhe keqpërdorimi i ujit të pijshëm, prandaj janë krijuar ekipe që të mbikëqyrin keqpërdorimet. (Ilmije Zhaku, TVM2)