Zaharieva i reagon Zaevit: Gjuha serbe në shkolla, provokim ndaj Bullgarisë

29.01.2021 18:29

Ministrja e Jashtme bullgare, Ekaterina Zaharieva...

Ministrja e Jashtme bullgare, Ekaterina Zahariev,a ka deklaruar se Shkupi nuk i ka ndërprerë lidhjet me Beogradin dhe Moskën. Kjo deklaratë e Zaharievës vjen pasi kryeministri, Zoran Zaev, njoftoi kthimin e gjuhës serbe në shkolla. Ajo në një intervistë dhënë televizionit bullgar BTV gjithashtu iu referua pozicionit të saj se maqedonizmi është një ide gjeopolitike e krijuar nga Beogradi dhe Moska dhe tha se nuk ishte e befasuar nga vendimi për gjuhën.

“Për mua, është provokim i ri ndaj Bullgarisë. Nënkupton se të gjitha partitë e atjeshme, pavarësisht dallimeve politike, janë unike për këtë çështje ashtu siç janë për raportin me Bullgarinë, pavarësisht nuancave. Nuk jemi të befasuar që janë jashtëzakonisht të afërt me Beogradin, pasi ideja është që të afrohet me serbishten e të largohet nga bullgarishtja. Kanë të drejtë të ndërtojnë qendër kulturore, kuptohet. “Maqedonizmi” vetvetiu është ide gjeopolitike e krijuar nga Beogradi dhe Moska.”,- tha zëvendëskryeministrja dhe ministrja e jashtme bullgare, Ekaterina Zaharieva.

Nga ana tjetër zëvendëskryeministri bullgar, Karakaçanov, ka deklaruar se është më e logjikshme që Maqedonia e Veriut ta shënojë 3 Marsin, festën kombëtare të Bullgarisë, ditën kur Bullgaria bashkë me Maqedoninë e sotme u çlirua nga Perandoria Osmane.

Më 27 janar, kryeministri, Zaev uroi pakicën serbe për festën e Shën Savës, duke paralajmëruar kthimin  e programit arsimor të gjuhës dhe kulturës serbe. Për këtë qëllim ai tha se janë miratuar programet nga klasa e tretë deri në të gjashtën dhe është në procedurë harmonizimi i programeve për klasën e shtatë, të tetë dhe të nëntë. Ndërsa për shkak të qëndrimeve të fundit nga Sofja zyrtare VMRO-DPMNE-ja opozitare ka kërkuar nga Qeveria aktuale që të ndërpriten bisedimet me Bullgarinë, pasi sipas kësaj partie pala Bullgare nuk ka treguar interesim për tejkalimin e këtyre dallimeve, dhe nuk shohin interesim që dëshirojnë ta ndihmojnë vendin tonë në rrugën euro-integruese.

Gir: Bisedimet varen nga Marrëveshja me Bullgarinë

Por euro ambasadori Dejvid Gir ka deklaruar se për të nisur bisedimet me BE-në vendi duhet të arrijë marrëveshje me Bullgarinë.

“E kuptoj mosdurimin dhe frustrimin për kornizën e bisedimeve, njerëzit dëshirojnë përparim dhe më në fund të nisin bisedimet, dalja nga situate është dy kahëshe, e para të fillojnë kontaktet bilateral me bullgarinë për arritjen e zgjidhjes së pranueshme dhe e dyta të vazhdojë përparimi sa u përket reformave.”,- theksoi ambasadori i BE-së, Dejvid Gir.

Dimitrov: Bisedimet të varen nga reformat, jo nga historia

Por zëvendëskryeministri për çështje evropiane insiston që korniza e bisedimeve të fokusohet në përparimin e reformave.

“Nëse historia zë vend qendror në kornizën e bisedimeve, atëherë parashtrohet pyetja nëse dhe në çfarë mase një proces i tillë do të evropianizojë ose do të ballkanizojë.”,- tha zëvendëskryeministri, Nikolla Dimitrov.

Kryeministri, Zoran Zaev, ka deklaruar se mund të marrim edhe 100 ultimatume, edhe 10 herë të tjera veto dhe bllokim, por për Identitetin dhe gjuhën maqedonase as nuk është diskutuar dhe negociuar dhe as nuk do të diskutohet dhe negociohet. (Fitim Kryeziu, TVM2)