U lëshua në përdorim teleferiku me 6 ulëse në Kodrën e Diellit

29.01.2021 19:40

Është lëshuar sot në përdorim teleferiku....

Është lëshuar sot në përdorim teleferiku me gjashtë ulëse në Kodrën e Diellit. Edhe pse i njëjti u lëshua edhe para 11 muajve, po deri më sot nuk ka qenë funksional. Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, tha se ky teleferik i cili është panoramik nuk ka funksionuar për shkak se një vit më parë nuk kishte borë.

“Është prioritet i Qeverisë investimi në infrastrukturë, por edhe në projekte tjera të cilat mund të jenë edhe një mundësi shtesë për gjithë vizitorët e Kodrës së Diellit. Vitin e kaluar nuk kishte borë dhe skiatorët nuk mundën ta shfrytëzojnë edhe këtë ski lift por edhe Kodrën e Diellit. Ne mendojmë se ski lifti duhet të lëshohet atëherë kur ka interes nga ana e qytetarëve  dhe atëherë kur mundet të vendoset në përdorim.”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Ndërkaq Nisma “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” thotë se funksionimi i teleferikut më gjashtë ulëse është me vonës por thotë se ky përurim ne të jetë e fundit.

“Shpresojmë te jetë e treta e vërteta dhe nuk do ketë më lëshim të teleferikut me gjashtë ulëse, sepse vonesat i dimë gjithë, filluan në 2012 me dokumentacion, në 2014-15 me ndërtim, 2021 me lëshim dhe sot ja u lëshua.”,- theksoi Hamdi Sulejmani nga Nisma “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit”.

Nga ana tjetër drejtori i sapo zgjedhur  i ELEM Turs, Adem Avziu, paralajmëroi investime në Kodrën e Diellit.

“Ne kemi planet tona ta rregullojmë një herë infrastrukturën, planifikoj që për sezonin e radhës të kemi edhe tualete publike, do e rregullojmë infrastrukturën, do i rregullojmë edhe ski liftat tjerë që kanë nevojë për renovim apo ndërrim.”,- tha drejtori i ELEM Turs, Adem Avziu.

Përndryshe, Kodra e Diellit ka vite që përballet me mungese të infrastrukturës, kanalizimesh dhe parkingjesh. (Visar Sadiki, TVM2)