Kumanovë, hapet qendra “Një pikë për shërbime”
Pas hapjes së qendrave “Një pikë për shërbime”, në Shkup dhe Tetovë....

Pas hapjes së qendrave “Një pikë për shërbime”, në Shkup dhe Tetovë, e njëjta qendër sot u hap edhe në qytetin e Kumanovës, e cila do të funksionojë duke u ofruar qytetarëve marrjen e shërbimeve në mënyrë elektronike të të gjitha informacioneve të nevojshme administrative.
Sistemi i Menaxhimit të Dokumenteve ka për qëllim përmirësimin e punës në institucionet shtetërore ku do të mundësohet procesimi i dokumenteve dhe funksionimi i proceseve në institucionet shtetërore të kryhet i tëri në formë elektronike. Koncepti “Një pikë për shërbime”, është pjesë e rëndësishme e procesit të digjitalizimit.
“Ky projekt ka për qëllim që qytetarët të marrin shërbime më të mira, më të lira dhe më efikase. Gjithashtu kjo pikë për shërbime u mundëson qytetarëve të marrin informacione nga institucionet shtetërore dhe publike. Kemi bërë të mundur caktimin e termineve “online”, në mënyrë që të shmangen radhët dhe pritjet e gjata para sporteleve. Aktualisht, ofrojmë 62 shërbime të drejtpërdrejta dhe mbi 800 informacione mbi marrjen e shërbimeve, si dhe jemi në bashkëpunim me institucionet: MPB, DAP, etj, si dhe synojmë që të rrisim numrin e shërbimeve tona me afro 20 shërbime.”,- tha ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri.
“Ky projekt ka për qëllim që ta lehtësojë komunikimin mes qytetarëve me institucionet shtetërore sa u përket kërkesave të përditshme. Gjithashtu komuna e Kumanovës është bashkëveprues i këtij projekti pasi që siguruam lokacion atraktiv mu në qendër të qytetit e qeveria u kujdes për pajisjet punuese si dhe për personelin e kësaj qendre.”,- u shpreh kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
Ndryshe, siç njoftoi ministri, Jeton Shaqiri, tashmë gati për tu hapur janë edhe qendrat në qytetin e Manastirit dhe në Ohër, ai gjithashtu paralajmëroi se po punohet për themelimin e këtyre qendrave edhe në Strugë, Kërçovë, Strumicë, Gostivar e Veles. (Fatlum Aqifi, TVM2)
