Botë

LDK-ja sot vendos për fatin e bllokut

18.11.2014 12:33

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të mblidhet sot për të vendosur përfundimisht se cili do të jetë fati i Bllokut VLAN...

Në mbledhjen paraprake, kryesia e LDK-së kishte vendosur se kësaj partie duhet t’i takojë posti i kryeministrit-që me Marrëveshjen e 10 qershorit i takon liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.
 
Kjo kërkesë e LDK-së nuk është pëlqyer aspak nga AAK-ja, të cilët kërkojnë që të respektohet Marrëveshja e 10 qershorit, e cila e bën kryeministër liderin e tyre, Haradinaj. Një ditë më parë, pas mbledhjes së kryesisë së AAK-së, është thënë se nëse LDK-ja nuk heq dorë nga kërkesa e saj për postin e kryeministrit, atëherë faji për prishjen e bllokut i mbetet asaj. 
 
Që prej zgjedhjeve të 8 qershorit institucionet e reja të  Kosovës nuk kanë mundur të konstituohen, si pasojë e ndarjes në dy tabore të partive politike. LDK,AAK, Nisma dhe Vetëvendosje u bënë bashkë për qëllimin e tyre të përbashkët që qeverisje “Thaçi 3” të mos ketë.
 
Por, ndarja e posteve është bërë “mollë sherri” në mes të AAK-së dhe LDK-së.
 
Sipas marrëveshjes së parë në mes të LDK-së, AAK-së dhe Nismas, Isa Mustafa do të bëhej kryeparlamentar, por për këtë post, Gjykata Kushtetuese ia dha të drejtën ekskluzive të propozimit vetëm PDK-së, si partia fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit.