Maqedoni

UNShM: Maturantët vazhdojnë bojkotin; MASh: Bojkoti, i paarsyeshëm dhe i papranueshëm

31.01.2021 15:00

Maturantët do të bojkotojnë mësimin edhe javën e ardhshme...

Një vendim të tillë e solli Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit qendror. Nga Unioni po ashtu thonë se për kërkesat e tyre kanë marrë mbështetje nga deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe kërkojnë përkrahje edhe nga deputetët tjerë. 

“Delegacioni ynë mbajti një takim me disa deputetë nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së. Në takim, ata riafirmuan mbështetjen e tyre për kërkesat tona. Ne u informuam se ata do të nisin iniciativë për të organizuar një debat publik të hënën dhe për të përgatitur propozim ndryshimet ligjore me kërkesat tona. Unioni pret një konsensus të gjerë në Kuvend për kërkesat tona sepse kjo çështje prek afërsisht 18 mijë maturantë në vend. Ne do të vazhdojmë aktivitetet tona në kuvend në koordinim me të gjithë deputetët dhe grupet parlamentare që mbështesin kërkesat tona.”,- thonë nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme.

Maturantët kërkojnë zvogëlimin e numrit të provimeve të maturës shtetërore nga katër në dy, edhe atë gjuhë amtare dhe një lëndë që do ta zgjidhnin nxënësit. Po ashtu ata kërkojnë që Ministria e Arsimit dhe Qendra e Provimeve Shtetërore në mars të prezantojnë plan dhe program se si do të duken programet e shkurtuara mësimore dhe materialet tjera për provim. Por nga Ministria e Arsimit mbeten në qëndrimin se këtë vit matura shtetërore do të ketë katër provime.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Qeveria janë të obliguara dhe do ta realizojnë mature për të krijuar mundësi për të gjithë mbi 14.000 nxënësit që janë paraqitur ti nënshtrohen Maturës dhe të vazhdojnë të mësojnë dhe të regjistrohen në fakultet. Është e pa përgjegjshme tu cenohet e drejta atyre që kanë vendosur të vazhdojnë fakultetin.”,- theksojnë nga Ministria e Arsimit, duke shtuar se matura shtetërore këtë vit do të realizohet me metodologji të shkurtuar siç është vendosur në fillim të vitit shkollorë, me çka ishin pajtuar edhe maturantët dhe organizatat e nxënësve, arsimtarët dhe prindërit.

Nga Ministria e arsimit njëherit apelojnë të vazhdoj mësimi, ndërsa vlerësojnë se bojkoti nga një grup i maturantëve nuk i shërben askujt dhe në këtë rast është i pa arsyeshëm dhe i pa pranueshëm. 

REJHANE BUSHI METAJ