Maqedoni
Çmimi i rrymës, VMRO: Marrëveshjet e ELEM-it shtrenjtojnë rrymën. ELEM: Akuzat për korrupsion, të pabaza
31.01.2021 15:19
VMRO–DPMNE ka akuzuar drejtorin e ELEM–it, Vasko Kovaçevski se me marrëveshje me TEC Manastirin...

VMRO–DPMNE ka akuzuar drejtorin e ELEM–it, Vasko Kovaçevski se me marrëveshje me TEC Manastirin për prodhimin e rrymës elektrike nga qymyri, po rrisin çmimin për 20%. Sipas partisë së Mickovskit nga marrëveshjet e tilla të prodhimit të rrymës, përfitojnë vetëm njerëz të afërt të pushtetit në dëm të qytetarëve. Opozita maqedonase kërkon shfuqizimin e këtyre marrëveshje të prodhimit të energjisë elektike dhe dorëheqjen e Kovaçevskit.
“Deri në VMRO–DPMNE kanë mbërritur 11 marrëveshje të firmosura për gërmim të qymyrit në vlerë prej 4 milion eurove, para të cilat do të jepen për marrjen me qira të makinerisë nga ndërmarrje private për gërmimin e qymyrit, me ç’rast gërmimi i një ton qymyri rritet nga 15 në 30 euro për një ton. Kjo ndikon edhe ndaj rritjes së çmimit të rrymës që paguajnë qytetarët. Prodhimi i rrymës në TEC – Manastir, sipas metodave të Kovaçevskit dhe Zaevit, bëhet i padobishëm dhe i shtrenjtë për qytetarët.”,- tha Antonio Milloshovski nga VMRO–DPMNE.
Kanë reaguar nga Elektranat e Maqedonisë së Veriut duke kërkuar nga deputeti Milloshovski që mos të krijojë amulli para opinionit për korrupsion në ELEM dhe TEC Manastir. Sipas tyre bëhet fjalë për dokumente publike për furnizime nga faza e parë në vlerë prej 15 milion euro.
“Të gjitha dokumentet për të cilat flet Milloshovski i kanë kaluar procedurat ligjore dhe ai do të duhet të kërkojë falje për gënjeshtrat e dhëna. Akuzat për korrupsion janë tendencioze, pa pasur dëshmi.”,- thonë nga Elektranat e Maqedonisë së Veriut.
Sipas tyre furnizimet janë bërë në përputhje me nevojat e minierave të TEC - Manastirit dhe do të vijojnë po aq furnizime deri në përmbushjen e nevojave të tërësishme për funksionim të pandërprerë.
MERAL ISMAILI
