Maqedoni
Mjeku Panovski: Vendi pritet të furnizohet me vaksina kineze
31.01.2021 16:15
Autoritetet shëndetësore në vend vazhdojnë përpjekjet për sigurimin e vaksinave...

Autoritetet shëndetësore në vend vazhdojnë përpjekjet për sigurimin e vaksinave, me qëllim që gjatë muajit shkuar të nisë vaksinimi anti Kovid. Megjithatë ende nuk është bërë e ditur se kur pritet të arrijë sasia e parë e vaksinave dhe nga cila kompani.
Bisedimet për sigurimin e 200 mijë vaksinave kineze janë në fazë përfundimtare, ndërsa kompania Fajzer ka kërkuar dokumentacion shtesë për dërgesën e parë të 800 mijë vaksinave të porositura. Po ashtu pritet përgjigje edhe nga Kovaks - mekanizmi për vaksinat e premtuara.
Marrë parasysh vonesat në furnizim me vaksinën anti Kovid nga kompania Fajzer dhe mekanizmi Kovaks, vendi pritet të furnizohet me vaksinat kineze, thotë mjeku, Nikolla Panovski. Sipas tij, bëhet fjalë për vaksina klasike me virus të vdekur, apo gjysmë të vdekur, të cilat nuk kanë reaksione akute.
“Nuk do të ketë reaksione akute siç ka te Fajzer dhe Moderna sidomos tek të rinjtë ku në ditët e para ndjejnë plogështi,lodhje dhe ndonjëherë edhe rritje të temperaturës dhe të gjithë ndjejnë dhimbje te vendi i vaksinimit. Te këto vaksina presim efekte të tilla siç ka tek vaksinat e gripit, nga të cilat me vite nuk i ka ndodhur askujt asgjë serioze.”,- tha mjeku, Nikolla Panovski.
Vaksinat kineze me çmim rreth 100 dollarë
Sa i përket çmimit, vaksinat kineze janë më të shtrenjtat, thotë Panovski.
“Më e shtrenjtë është Sinofarm, më pas Inovak që është afërsisht me çmimin e vaksinë së kompanisë Moderna, e madje më e shtrenjtë, rreth 90 dollarë. Sinofarm është mbi 100 dollarë dy doza.”,- tha mjeku, Nikolla Panovski.
Ai njëherit thekson se vaksinat e Sinofarm kanë efikasitet prej 80%, por në vende të ndryshme ku është regjistruar sillet prej 60 deri në 90% efikasitet.
Të rinjtë nën 18 vjet nuk duhet vaksinuar
Sa i përket vaksinës së Astra Zeneka ajo mund të vijë tek ne në kuadër të Kovaks mekanizmit pas disa muajsh dhe atëherë do të vendoset nëse do tua japim njerëzve mbi 60 vjeç, pasi mbi 60 vjeç jepen vaksinat e Fajzer dhe Moderna, ndërsa nën 60 vjeç vaksinat e Astra zeneka, thotë mjeku Panovski, sipas të cilit efikasiteti i vaksinës nga Astra Zeneka është 60% dhe kushton vetëm 8 dollarë për dy doza. Ai njëherit thekson se imunizimi duhet të fillojë me të moshuarit dhe kategoritë e rrezikuara.
“Në fillim duhet të vaksinohen të moshuarit, punëtorët shëndetësor grupet e rrezikuara, e më pas duhet parë nëse duhet të vaksinohen të rinjtë prej 30 vjeç.”,- tha mjeku, Nikolla Panovski.
Të rinjtë nën 18 vjet nuk duhet vaksinuar pasi vaksinat nuk janë testuar për këtë grupmoshë, thotë mjeku Panovski. Sipas tij, për vaksinimin e 300 mijë personave në vend nevojiten rreth dy muaj nëse organizohet mirë ky proces, përkatësisht nëse vaksinohen rreth pesë mijë persona në ditë dhe vetëm pasi imunizimit mund të mendohet për zbutje të masave.
GYLTENE SINANI
