Maqedoni

Tetovë, qytetarët problem me qentë endacakë

31.01.2021 17:39

Qentë endacakë ka vite që shqetësojnë qytetarët e Tetovës dhe jo vetëm...

Të sjellë nga qytetet tjera dhe komunat tjera, ata sa vijnë e shtohen në Tetovë. Sipas veterinarëve në Tetovë numri i qenve endacakë sillet nga 300 në 400, po ky numër mund të jetë edhe më i madh. Ditët e ftohta dhe mungesa e ushqimit ata i bën agresivë, thotë një veteriner.
 
Po sipas tij, ka edhe qytetarë të cilët i ngacmojnë të njëjtë dhe më pastaj sulmohen dhe rrezikojnë edhe jetët e tyre.
 
“Problemi qëndron këtu se edhe nga qytetet tjera dhe komunat tjera sjellin në Tetovë qen endacakë dhe ata në mungesë të ushqimit bëhen agresivë, sidomos në kohën e dimrit. Pa marrë parasysh se a janë të vaksinuar ose jo, ata përsëri bëhen agresivë, pasi ka mungesë të ushqimit. Por, këtu ka edhe një problem tjetër, ka njerëz që i ngacmojnë qentë dhe të njëjtët bëhen agresiv.”,- tha një veterinar.
 
Ndërkohë, nga komuna e Tetovës thonë se për këtë vit ka dyfishuar shumën e të hollave që dedikohen për këtë problematikë.
 
“Komuna për këtë vit ka planifikuar një buxhet më të madh nga viti paraprak, ku janë të paraparë një shumë prej 3 milion denarë për trajtimin e qenve.”,- u shpreh kryetari i Këshillit komunal – Tetovë, Bekim Memeti.
 
Memeti fton qytetarët që në qoftë se të njëjtët janë kafshuar nga qentë endacakë, të kërkojnë të drejtën e tyre përmes gjykatës.
 
“Të gjithë qytetarët të cilët janë të kafshuar nga qentë endacakë, të drejtën e tyre për kompensim ta shfrytëzojnë përmes gjyqit, pasi më herët e ka bërë komisioni, por me vendim të komisionit dhe me sugjerim të kryetares së komunës, të njëjtat do shkojnë përmes gjyqit.”,- u shpreh kryetari i Këshillit komunal – Tetovë, Bekim Mememti.
 
Ndërkaq, nga SPB - Tetovë thonë se vetëm në muajin janar në SPB - Tetovë kanë lajmëruar 12 qytetarë të cilët janë sulmuar nga qentë endacakë.
 
VISAR SADIKI