Maqedoni

Strugë, maturantët e gjimnazit vazhdojnë bojkotimin

01.02.2021 18:02

Maturantët e gjimnazit "Ibrahim Temo" në Strugë kanë vazhduar bojkotimin e mësimit....

Maturantët e gjimnazit "Ibrahim Temo" në Strugë kanë vazhduar bojkotimin e mësimit. Nxënësit nuk pranuan të flasin para kamerës sonë, por ata thonë se kjo është një iniciativë e gjithë maturantëve në vend, për të treguar se janë kundër provimeve të maturës në fund të vitit. Në fillim të gjysëmvjetorit të dytë, mësimin e bojkotuan maturantët e palës shqiptare dhe maqedonase, kurse pala turke u kyç në mësim, por më pas edhe pala turke ju bashkangjit bojkotimit. Drejtoresha e shkollës Besime Jonuzi për TVM2 tha nuk mund ti arsyetojnë nxënësit pse nuk kyçen në mësim, kur tashmë një pjesë e madhe e nxënësve në qytete tjera kanë pranuar të vazhdojnë mësimin, por edhe një pjesë e maturantëve të Strugës duan ti kthehen mësimit.  
 
“Javën e kaluar të gjithë maturantët bojkotuan nga e hëna në të premte, paralelja turke e cila e filloi mësimin dy ditët e para dhe ditën e hënë ishin në mësim, ditën e martë edhe ata iu bashkangjitën bojkotit. Kontaktet që kanë pasur mësimdhënësit me klasat e tyre, një pjesë e tyre duan të kthehen në mësim, mirëpo janë nën presion të një pjese tjetër të cilët me ngulm duan ta vazhdojnë bojkotin.”, tha Besime Jonuzi, drejtoreshë e gjimnazit “Ibrahim Temo”.
 
Jonuzi shtoi se nxënësit kanë rënë pre e një loje që luhet me ta dhe i shfrytëzojnë ata duke nxitur bojkotimin e mësimit. Ajo apelon maturantët që të kthehen në mësim, sepse tashmë është vendosur që matura shtetërore do të realizohet dhe me moskyçjen në mësim nxënësit humbin shumë.  Mësimin në Strugë e bojkotojnë vetëm maturantët e gjimnazit „Ibrahim Temo“, ndërsa  maturantët e shkollës së mesme „Niko Nestor“, me përjashtim të disa individëve,shumica janë kyçur në mësim që nga dita e parë e gjysëmvjetorit dhe kanë vazhduar mësimin online.
 
ILMIJE ZHAKU