Kovid-19, BE ashpërson rregullat për udhëtim

02.02.2021 14:29

Bashkimi Evropian ka ashpërsuar rregullat e tij për udhëtarët....

Bashkimi Evropian ka ashpërsuar rregullat e tij për udhëtarët nga vendet që nuk janë anëtare të bllokut.

Rregullat e reja lejojnë hyrjen vetëm të banorëve nga vendet që kanë pak raste të të infektuarve me virusin korona dhe të atyre që nuk kanë pothuajse asnjë rast me variantet e reja të virusit. Ambasadorët e BE ranë dakord për masën e re për udhëtimet nga vendet që nuk janë anëtare të BE, duke përfshirë Britaninë.

Në rekomandimin për udhëtimet, BE inkurajon vendet anëtare të vendosin kritere të rrepta të udhëtimeve.

Sipas këtyre rekomandimeve, një vizitor mund të hyjë në BE, nëse vjen nga një vend që ka jo më shumë se 25 raste të të infektuarve për 100 mijë banorë gjatë 14 ditëve. Megjithatë vendet anëtare të BE-së vendosin se cilat kufizime do t’i ndërmarrin. Gjermania, tanimë ka vendosur kufizime më të ashpra, ndërsa Belgjika ka ndaluar udhëtimet jo-thelbësore brenda ose jashtë vendit deri në muajin mars.

Ashpërsimi i masave për hyrje në vendet e BE-së vjen për shkak të rritjes së numrit të personave të infektuar. Gjatë 24 orëve të fundit në Gjermani kanë humbur jetën 861 persona si pasojë e COVID-19, ndërsa janë regjistruar mbi 6 mijë të infektuar. Deri më tani Gjermani ka arritur të vaksinojë 2 milion e 467 mijë e 918 persona, prej të cilëve rreth 2 milion kanë marrë vetëm dozën e pare, ndërsa mbi 532 mijë edhe dozën e dytë të vaksinës.

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka thënë se qytetarët mund të kenë nevojë të vaksinohen kundër koronavirusit për shumë vite.

“Tri kompani kanë vaksina të miratuara nga BE-ja. Edhe nëse kompanitë tjera nuk arrijnë të sigurojnë miratim, Qeveria gjermane do të ketë mundësi që ta mbajë premtimin për të ofruar vaksina për secilin qytetar të moshës së pjekurisë, deri në fund të verës ose në çerekun e tretë të vitit.”,- deklaroi kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.

Në SHBA në 24 orët e fundit janë regjistruar 130 mijë e 759 të infektuar  dhe një mijë e 881 të vdekur. Sa u përket vaksinave SHBA ka siguruar rreth 50 milion vaksina anti Kovid mbi 32 milion prej të cilave janë administruar. Ndërkohë Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri të ditur se për të tretën javë me radhë numri i rasteve të reja me COVID-19 në mbarë botën ka shënuar rënie. Kontrolli i përhapjes së virusit tani shpëton jetë dhe do të shpëtojë jetë edhe më vonë duke reduktuar mundësitë që të shfaqen më shumë lloje të virusit, thonë nga OBSH. Deri tani numri i të infektuarve nga virusi korona në nivel botërorë ka arritur në mbi 103 milion të infektuar, prej të cilëve mbi dy milion e 240 mijë persona kanë vdekur. (Rejhan Bushi Metaj, TVM2)