LSDM: Ligji për barna mundëson furnizim me vaksina
Me ndryshimet e Ligjit për barnat...

Me ndryshimet e Ligjit për barnat dhe pajisjet mjekësore janë krijuar mundësitë për furnizim me vaksina kundër Kovid-19, dhe të nis imunizimi i vendit thonë nga LSDM. Ajo që ngelet për ta bërë është promovimi i një ambienti pozitiv për vaksinimin dhe fushatën informuese thonë nga VMRO-DPMNE.
“Janë krijuar kushtet që vaksina kundër koronavirusit të mbërrijë në vend dhe të fillojmë imunizimin. Këto ndryshime në ligj nuk do të nevojiteshin nëse VMRO-DPMNE, derisa ishte në pushtet, nuk do të shkatërronte sistemin shëndetësor dhe të detyronte kompanitë e njohura të ilaçeve të tërhiqeshin nga tregu ynë. Si shumicë e përgjegjshme parlamentare, mbetemi të përkushtuar për t'i dhënë fund pandemisë dhe për të kapërcyer të gjitha pasojat e saj ekonomike dhe shëndetësore.”,- deklaroi Nenad Kociq nga LSDM.
VMRO-DPMNE: Fushatë informuese për vaksinimin
“Ajo për të cilën duhet të punojmë së bashku në periudhën e ardhshme është të promovojmë një klimë pozitive për vaksinimin dhe fushatën informuese që kur të mbërrijnë vaksinat e para të fillojmë me vaksinimin dhe ta zbatojmë atë me dinamikë që premton një rezultat të suksesshëm në luftën kundër KOVID 19. Pandemia nuk na ndan sipas përkatësisë politike-partiake, ideologjike, kombëtare apo fetare. Të gjithë jemi të prekur njësoj.”,- theksoi Sinisha Stojanoski nga VMRO-DPMNE.
Kuvendi miratoi dit më parë me procedurë të shkurtuar projektligjin për ndryshimin e Ligjit për barnat dhe pajisjet mjekësore. Ndryshimet mundësojnë miratim më të lehtë të vaksinave kundër Kovid-19, teksa parashikojnë miratim për vendosjen në treg të vaksinave kundër Covid-19 që të marrin edhe kërkuesit pa vend-qëndrim, si dhe kërkues që nuk kanë paraqitur dokumentacion të plotë.
Këto ndryshime ligjore vlejnë në raste emergjente dhe situata krizash që paraqesin kërcënim serioz për shëndetin e njeriut, fatkeqësitë natyrore, ekzistencën e një situate krize dhe epidemi ose pandemi të deklaruar të një sëmundjeje ngjitëse dhe ngjashëm. (Naim Ramadani, TVM2)
