Bytiqi: Gjatë javës mund të finalizohet pakoja e pestë
Pakoja e 5 e masave anti-krizë pritet të finalizohet deri në fund të javës....

Pakoja e 5 e masave anti-krizë pritet të finalizohet deri në fund të javës nëse arrihet konsensus me palët e përfshira. Kështu njoftoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytiqi, sipas të cilit, kjo ndihmë pritet të kap vlerën e përgjithshme prej 50 deri në 60 milion euro. Përmes kësaj mbështetje financiare, ekonomia e vendit ngadalë do nis rimëkëmbjen pas goditjes që pësoi gjatë vitit të kaluar, theksoi zëvendëskryeministri Bytiqi.
"Mbështetja financiare për pagat nuk do të mungojë as në pakon e pestë të masave, ashtu siç ishte edhe më herët për këtë shkak edhe ndihma paraprake që ishte nuk ka qenë e pakusht. Edhe më herët është dashur të përmbushen disa kushte që ndihma të bëhet e pakthyeshme, të njëjtin mekanizëm e përdorim edhe tani. Bisedimet për të dy opsione me odat ekonomike dhe të gjithë palët e përfshira dhe me siguri këtë javë duhet të vendosim bashkërisht se cilat nga masat duhet t’i vendosim t’i aplikojmë, duke pasur parasysh që patjetër ngadalë duhet të tregojmë se po rimëkëmbemi dhe ngadalë Maqedonisë i duhet një ristartim i ekonomisë.",- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytiqi.
As në pakon e pestë që është drejt fundit nuk do të ketë vauçerë turistike apo vauçer të ngjashëm për studentë apo nxënësit.
Bekteshi: Prioritet do të jetë gastronomia
Sipas ministrit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshit, gastronomia si sektor më i prekur sërish do të jetë në fokusin e mbështetjes financiare.
“Bisedojmë hapur dhe i ndajmë opinionet dhe të dhënat, i kemi bërë analizat e duhura, pra kemi marrë të dhënat edhe nga regjistri qendror sa i përket numrit të të punësuarve në këtë sektor por njëkohësisht edhe kompanitë të cilat kanë qenë më të goditura dhe nuk kanë pasur mundësinë të funksionojnë. Masat do të jenë në drejtim të pro-aktivitetit edhe të institucioneve por edhe të objekteve gastronomike në vend, do të jenë kundër pasivitetit të këtij sektori pasi është një sektor që punëson numër të konsiderueshëm të qytetarëve.”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Bekteshi mes tjerash njoftoi se me ndryshimet ligjore që tashmë kanë kaluar në Kuvend, qytetarët do të mund t’i paraqesin për t’i regjistruar veturat me targa të huaja. Këto komente Bytiqi dhe Bekteshi i bënë gjatë vizitës në Kompaninë “Rade Konçar”. (Zekirja Mexhiti, TVM2)
