Mickovski: Regjistrim elektronik ose të shtyhet regjistrimi
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski....

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski, edhe njëherë ka kërkuar shtyrjen e regjistrimit të popullsisë, me arsyetimin se po rrezikohet jeta dhe shëndeti i qytetarëve të vendit. Por, nëse vendosin me forcë ta realizojnë këtë proces, atëherë regjistrimi duhet të bëhet në mënyrë elektronike, thotë lideri opozitar.
Sipas Mickovskit, Kroacia, Serbia, Romania, Gjermania kanë vendosur ta shtynë këtë proces, sepse po e vlerësojnë jetën e qytetarëve, për dallim prej Qeveria e vendit.
“Asgjë nuk do të ndryshojë nëse ne e shtyjmë procesin për disa muaj më shumë apo më pak. Prandaj mos i rrezikoni jetën e qytetarëve. Nëse vetëm dëshirojnë që me forcë ta realizojnë regjistrimin, atëherë ajo të bëhet në mënyrë elektronike. Le të mësojnë nga vendet tona mike ku politika interesohet për jetën e qytetarëve. Edhe regjistrimi i kombinuar nuk është i pranueshëm, sepse prapë duhet dikush të ju vijë në derë. Me këto veprime Qeveria qëllimisht po shtyn popullin në një skenar apokaliptik, që askush nuk do t’ia dijë fundin.”,- deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski.
LSDM: Regjistrimi do të jetë i kombinuar
Por, nga LSDM thonë se vendit i duhet regjistrim i popullsisë, sepse kjo është e nevojshme për krijimin e politikave. Por, nga LSDM vlerësojnë se regjistrimi nuk është e mundur të realizohet vetëm nëpërmjet formës elektronike.
“Vetëm regjistrim elektronik nuk është i mjaftueshëm, që të merren të gjitha të dhënat të cilat janë të nevojshme sipas standardeve të Eurostat-it. Pikërisht kjo VMRO-DPMNE, partia e cila sot kërkon të bëjmë vetëm regjistrim elektronik, në vitin 2019 ishte kundër regjistrit qendror, të cilën e quanin regjistrim elektronik, ndërsa sot pikërisht kjo parti kërkon vetëm regjistrim elektronik. Që të kemi të dhëna relevante dhe të sakta duhet të jetë regjistrimi i kombinuar.”,- tha deputeti i LSDM-së, Darko Kaevski.
Institucionet e vendit kanë kapacitet që ta realizojnë këtë operacion statistikor të paraparë të realizohet në prill të këtij viti, thonë nga partia në pushtet. (Fitim Kryeziu, TVM2)
