Ademi: Asgjë nuk është vendosur për testimin e studentëve
Nuk ka nevojë për shqetësime dhe revoltë tek studentët, sepse modeli për testimin ekstern në arsimin e lartë akoma nuk është i përcaktuar dhe në këtë moment rishikohen të gjitha opsionet e nevojshme për t’u marrë parasysh realizimi i këtij procesi, deklaron ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi........

Ajo se a do të ketë përfundimisht testim ekstern dhe në cilën formë, i njëjti do të organizohet nëpër universitete dhe do të dihet deri në fund të muajit të ardhshëm, thotë Ademi, i cili sqaron se ideja për testim ekstern në arsimin e lartë ka për qëllim të përforcojë akoma më shumë procesin arsimor dhe të mundësojë të dalin gjenerata më cilësore pas përfundimit të arsimit të lartë. Ademi, njëherit vlerëson se protestat e djeshme të studentëve janë të organizuara nga dikush tjetër, e jo nga studentët.
“Përderisa nuk e kemi të përcaktuar dhe vetëvendosur këtë gjë, do të thotë se dikush tjetër i organizon këto protesta, e jo studentët. Unë me studentët, me përfaqësuesit e studentëve kam pasur takime dhe i kam informuar se ende nuk ka model të përcaktuar dhe në momentin kur do të përcaktojmë, ne atë do ta ndajmë fillimisht me universitetet dhe me studentët dhe andaj mendoj se në këtë moment nuk ka nevojë për reagime, nuk ka nevojë as për shqetësime. Unë pranova një letër nga protesta e djeshme, e kam përgatitur edhe përgjigjen, mirëpo nuk kam adresë ku ta drejtoj, sepse letra është e shkruar me adresë deri te ministri dhe nuk ka as emër, as mbiemër, as adresë, as nënshkrim. Përderisa unë nuk kam adresë, nuk kam as ku ta drejtoj. Nëse në ditët në vijim nuk do të marr një adresë të saktë ku mund ta dërgoj reagimin tim, atë do ta bëj në mënyrë publike”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Sa i takon dorëheqjes së kërkuar nga ana e studentëve, ministri Ademi mendon se kjo kërkesë mund të jetë me prapavi, duke marrë parasysh se edhe protestat e djeshme ishin të tilla. (Rexhep Qamili, TVM2)
