Popovski i përgjigjet Venizellosit
Maqedonia i ka përmbushur të gjitha reformat e rekomanduara nga Komisioni Evropian në të gjitha sferat dhe që nga viti 2008 mund të thuhet se nga shumë shtete anëtare të BE-së llogaritet “defakto” si anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian........

Kështu deklaroi ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Popovski, si kundërpërgjigje e deklaratës së djeshme të shefit të Diplomacisë greke, Evangellos Venizellos, se Maqedonia ka shumë probleme më të mëdha se sa kontesti me emrin edhe atë me të gjithë fqinjët. Deklaratat e tilla nga pala greke janë të papranueshme dhe jashtë normave të të drejtave ndërkombëtare, vlerësoi Popovski.
“Greqia, qartë, në nivel të udhëheqësisë politike ka prioritete tjera, dëshiron t’i ikë përgjegjësisë dhe të mos i përfillë bisedimet dhe mënyra më e mirë është hedhja e fajit diku tjetër. Asnjë prej atyre argumenteve nuk është relevant as sa i përket NATO-s dhe as BE-së, ngaqë në 6 vitet e fundit, në bazë të raportit të KE-së vendi ynë i ka përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim, përveç kontestit të pazgjidhur me Greqinë. Grekët e dinë se stagnimi i vendit na sjellë pasoja, andaj shfrytëzojnë rastin dhe hedhin deklarata të tilla”- deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski.
Ndërkaq, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Sërxhan Kerim, vlerëson se vendi nuk duhet të heqë dorë nga proceset euroatlantike edhe përkundër pengesave të shumta.
“Nuk jam pesimist edhe pse 6 vite me radhë na ndalojnë në procesin e anëtarësimit në NATO. Qëndrojmë para një sinjali të kuq, por mendoj se Maqedonia, me aktivitetet e jashtme politike, duhet të qëndrojë të krijojë klimë pozitive dhe të hapë bisedimet për të debllokuar procesin. Mendoj se edhe vendet e tjera, SHBA-të, Gjermania dhe Franca duhet të ndikojnë që ky kontest të zgjidhet”- tha ish-ministri i Punëve të Jashtme, Sërxhan Kerim.
Sipas një hulumtimi të bërë nga Fakulteti për Siguri në Shkup, 81 % e qytetarëve të Maqedonisë kanë deklaruar se janë “pro” anëtarësimit të Maqedonisë në strukturat veri-atlantike, ndërsa vetëm 19 % prej tyre janë shprehur “kundër”. Ndërsa sa i përket anëtarësimit të vendit në BE, mbi 68 për qind janë deklaruar "pro", ndërsa 32 për qind “kundër”. (Valbon Bexheti, TVM2)
Foto: telegraf.mk
