Sulm në një sinagogë në Jerusalem, 5 të vdekur
Pesë izraelitë kanë mbetur të vdekur dhe tetë të tjerë janë plagosur pas sulmit me thika dhe sëpata në një sinagogë në Jerusalem........

Dy burrat palestinezë, autorë të kësaj masakre, u qëlluan për vdekje nga policia.
Sipas zëdhënësit të Policisë izraelite, Micky Rosenfeld, dy të dyshuarit kanë hyrë në sinagogë në lagjen “Har Nof” në Jerusalem dhe katër izraelitë janë vrarë e tetë janë plagosur, ndërsa i pesti ka vdekur në spital. Dy persona të dyshuar u qëlluan për vdekje nga policia menjëherë pas sulmit.
“Ne e dimë se bëhet fjalë për dy palestinezë nga Jerusalemi Lindor, të cilët kishin hyrë brenda sinagogës me thika dhe sëpata, ata kanë sulmuar njerëzit që ishin duke u lutur në sinagogë. Për fat të keq, katër izraelitë vdiqën menjëherë pas incidentit, ndërsa i pesti vdiq më vonë në spital. Spitalet në Jerusalem ishin të hapura dhe ne i dërguam të plagosurit atje, katër prej tyre janë ende në gjendje kritike”- deklaroi zëdhënësi i Policisë, Micky Rosenfeld.
Policia tha se të paktën njëri prej sulmuesve ishte nga Jerusalemi Lindor, në anën palestineze të qytetit.
Tensionet në Izrael nuk kanë të ndalur dhe ky veprim vjen vetëm një ditë pasi një palestinez, shofer i autobusit, u gjet i varur në automjetin e tij në Jerusalem dhe dyshohet se kjo ishte një hakmarrje ndaj sulmeve vdekjeprurëse që Izraeli bën mbi palestinezët. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)
