Azizi: Pensionistët nga jashtë nuk obligohen për Sigurim Shëndetësor
Pensionerët e Maqedonisë, të cilët marrin pensione prej shteteve të huaja, me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Sigurim të Obligueshëm Shëndetësor, nuk obligohen që të kyçen në Sistemin e Sigurimit Shëndetësor......

Kështu deklaruan sot deputetët në Seancën e Komisionit për Financim dhe Buxhet. Deputetja e BDI-së, Kaltrina Azizi, deklaroi se mediat kanë keqinterpretuar propozim-ndryshimet dhe plotësimet e këtij ligji, pasi pensionistët, të cilët marrin pensione nga bartësit e huaj të sigurimeve, vetëm vullnetarisht mund të kyçen në Sistemin për Sigurim Shëndetësor në Maqedoni.
“Tendenca e qeverisë me këtë propozim-ligj është që të fusë edhe këtë kategori të pensionistëve të ketë qasje në Sistemin e Sigurimit Shtetëror të RM-së, do të thotë nuk kemi futje të re të kategorisë së obliguesve që të paguajnë sigurim shëndetësor, por kemi ulje të pagesës së lartësisë së kontributeve nga 13 për qind në 7.3 për qind dhe me këtë do të kemi një stimulim të pensionistëve, të cilët pranojnë pensione nga jashtë, do të thotë të paguajnë kontribute për Sigurim Shëndetësor në RM dhe ata të bëjnë pagesën minimale për kontrollet, të cilat zakonisht i shfrytëzojnë përderisa qëndrojnë në RM-së”- deklaroi deputetja e BDI-së, Kaltrina Azizi.
Sipas deputetit të VMRO-DPMNE-së, Dragan Cuklev, përveç asaj që pensionistët që marrin pensionet nga jashtë nuk obligohen të futen në Sistemin e Sigurimit Shëndetësor, atyre tash u ofrohet mundësi tepër e mirë me uljen e përqindjes së kontributeve për Sigurimin Shëndetësor.
“Vetëm 105 pensionerë, të cilët pranojnë pensione nga jashtë, kanë hyrë vullnetarisht në Sistemin e Sigurimit Shëndetësor. Pritet që përmes zvogëlimit të përqindjes bazë, si për të siguruarit vendas ashtu edhe për ata që marrin pensione nga jashtë, të paguajnë në normën e përgjithshme prej 7,3 për qind dhe rreth 10 000 pensionerë të kyçen në Sistemin e Sigurimit Shëndetësor”- tha Dragan Cuklev nga VMRO-DPMNE.
Komisioni për Financim dhe Buxhet, i ka kaluar edhe në lexim të dytë propozim-ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Sigurim të Obligueshëm Shëndetësor. (Mefail Ismaili, TVM2)
