Maqedoni

Arrestime për protestën “Monstra”, Spasovski: 14 persona të ftuar në polici, një i mitur

04.02.2021 14:21

Protestat janë akt demokratik për të shprehur pakënaqësi me atë që po ndodh në shoqëri..

 
Arrestime për protestën “Monstra”, Spasovski: 14 persona të ftuar në polici, një i mitur. ASH-AA: Akt i rëndë i shkeljes së të drejtave të njeriut
Protestat janë akt demokratik për të shprehur pakënaqësi me atë që po ndodh në shoqëri, por ato nuk guxojnë të jenë në kundërshtim me ligjet. Kështu theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, i cili njoftoi se për protestën e rastit “Monstra” mes 14 personave të identifikuar si organizatorë dhe pjesëtarë në protestë është edhe një i mitur. Ai u shtoi se para ligjit do të përgjigjet secili, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare dhe a është i moshës madhore apo i mitur. Tha se të gjithë këta persona akuzohen për dëmtim të pronës shtetërore dhe për mosrespektim të protokolleve për mbrojtje nga virusi.
                                                 
“Janë identifikuar, janë ftuar në bisedë 14 persona, të gjithë janë të moshës madhore, kemi vetëm një të mitur i cili është ftuar që të vijë me prindin e tij në stacionin policor. Kështu që, çdokush që kryen vepër penale, duhet të bartë përgjegjësi. Nuk ka lidhje se çfarë përkatësie fetare dhe kombëtare ka, dhe nuk është me rëndësi se a është ai i rritur apo i mitur, duhet të bartë përgjegjësi në bazë të dispozitave ligjore.”,- deklaroi ministri i brendshëm, Oliver Spasovski. 
 
Lidhur me këto arrestime ka reaguar edhe opozita shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Këto veprime të MPB-së i cilësojnë si akte të shkeljes së rëndë të të drejtave qytetare.
 
“Në një shtet normal për veprime të këtilla bie Qeveria, kurse dorëheqja është minimumi që duhet ta bëjë një ministër i policisë. Koalicioni Aleanca dhe Alternativa, përmes deputetëve të tij, do të marrë të gjitha masat e nevojshme, duke njoftuar OSBE-në, ambasadorin e BE-së, Ambasadën e SHBA-së dhe Komitetin e Helsinkit për këto shkelje të rënda të të drejtave qytetare, që janë të garantuara edhe me Kushtetutë. Me këtë rast i bëjmë thirrje kryeministri Zaev, ministrit Spasovski dhe zëvendësit të tij, Nazim Bushi, që të heqin dorë nga kjo politikë dhe logjikë diktatoriale, t’i lënë të qetë qytetarët që ta shprehin mendimin e tyre lirshëm, ashtu siç e garanton ligji dhe kushtetuta e vendit.”,- u tha nga ASH-AAA.
 
Ministri Spasovski gjatë konferencën për shtyp njoftoi gjithashtu se MPB po heton edhe 8 policë dhe 28 qytetarë të tjerë, për shkak të shtypjes së lejeve për vozitje për qytetarë të cilët janë pajisur me to, pa e kaluar provimin për vozitje. Ai u zotua se nuk do të tolerohet asnjë vepër korruptive dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare.
 
ZEKIRJA MEXHITI