Maqedoni
Kovid-19, 560 pacientë në trajtim spitalor
04.02.2021 14:49
Gjendja me virusin Korona në vend mbetet stabile, vlerësojnë autoritetet shëndetësore në vend...

Gjendja me virusin Korona në vend mbetet stabile, vlerësojnë autoritetet shëndetësore në vend. Nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se aktualisht në trajtim spitalor në qendrat Kovid në vend janë 560 pacientë, prej të cilëve 234 janë në Shkup, ndërsa 326 në qytetet tjera të vendit. Siç ka bërë të ditur ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, në vend aktualisht ka rreth 20 lloje të virusit Korona, përfshirë edhe disa raste të virusit britanik. Autoritetet kanë paralajmëruar se gjatë këtij muaji pritet të arrijnë vaksinat anti Kovid për të filluar me procesin e imunizimit.
Vaksinat e para anti Kovid në vend do të jenë ato kineze. Autoritetet shëndetësore kanë bërë të ditur se është bërë porosia e 200 mijë vaksinave, me të cilat do të nisë procesi i vaksinimit sipas planit të përgatitur paraprakisht, duke filluar me personelin mjekësor dhe grupet e rrezikuara. Në pritje të fillimit të vaksinimit rreth 70 qytetarë të vendit të cilët posedojnë edhe nënshtetësi të Serbisë, janë vaksinuar në qytetin e Vranjës dhe Bujanocit në shtetin fqinjë, ku për momentin shfrytëzohet vaksina kineze.
Ndërkohë, me moton “Edhe ne jemi punëtorë shëndetësorë”, në spital Kovid, personeli administrativ dhe teknik në Spitalin “8 shtatori”, dolën në protestë me kërkesën që t’u paguhet shpërblimi prej 30 mijë denarësh që iu dha punëtorëve shëndetësorë.
“Duam të shprehim revoltën tonë nga sjellja nënçmuese dhe jokorrekte ndaj nesh, pasi me vendim të qeverisë u pagua kompensim për të gjithë të punësuarit në qendra Kovid, prej të cilëve vetëm ne 195 të punësuar u përjashtuam, përkatësisht u dikriminuam.”- tha e punësuara në Spitalin “8 Shtatori”.
Ata thonë se që nga fillimi i pandemisë vazhdimisht kanë qenë të përfshirë në procesin e punës dhe përkrahjen e pacientëve Kovid, pa të drejtë të shfrytëzimit të pushimeve vjetore dhe pa mundësi që të punojmë nga shtëpia.
GYLTENE SINANI
