Promovohet “Enciklopedi antologjike e mendimit shqiptar 1807-1957”
Në Universitetin Shtetëror të Tetovës, u bë promovimi i enciklopedisë me tri vëllime të autorit, Ndriçim Kulla, me temë “Enciklopedi antologjike e mendimit shqiptar 1807-1957”...........

Profesori universitar, dr. Arbër Çeliku, njëherit prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar në USHT, vlerësoi se enciklopedia antologjike e mendimit që është shkruar nga diagnostiku i madh, Ndriçim Kulla, është një dëshmi intensive e kohës krijuese të një letrari.
“Sa i përket përzgjedhjes së temave dhe fjalëve, autorëve dhe figurave të shquara kombëtare, të cilët ai i ka sjellë ashtu siç nuk i kemi njohur deri më tani, duke e begatuar këtë enciklopedi edhe me dëshmi origjinale, pjesërisht të pabotuara deri më tani, të mendimtarëve të shquar të kombit të viteve 1807-1957. Formati i librit zbulon përpjekjen konstruktive të një përmbledhjeje teorike të detajeve të hulumtuara. Falë një fiksimi të caktuar të shikimit të autorit në skenën kombëtare, enciklopedia, të cilën e kemi përpara, pasqyron tiparet karakterizuese të një shekulli e gjysmë të historisë së mentalitetit shqiptar”- deklaroi prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar i USHT-së, prof.dr. Arbër Çeliku.
Autori, Ndriçim Kulla, shpalosi se në këtë vepër janë përfshirë 75 autorë, që përbëjnë përafërsisht pesëmbëdhjetë dekada mendim shqiptar.
“Unë e kam quajtur këtë trashëgimin tonë ose filozofinë tonë kombëtare . Pjesa kryesore e kësaj trashëgimie ka qenë e censuruar, e ndalur, ose e përgojuar për shkaqe politike dhe sociale, historike. Bëhet fjalë për mendimtarë ose përfaqësuesit kryesor të mendimit shqiptar, të cilët kanë krijuar ideologjinë kombëtare, kanë frymëzuar dhe realizuar pavarësinë politike dhe kanë ndihmuar shtetin shqiptar që të bëjë një shtet me një koncept evropian. Unë jam munduar të tregohem sa më shterues, që t’i përfshi të gjithë, megjithatë kjo duhet nënkuptuar si një iniciativë private. Ndoshta unë kam respektuar kritere dhe një metodologji shkencore, përsëri mund të ketë, nuk përjashtohet që të ketë dhe të tjerë”- tha autori, Ndriçim Kulla.
“Po t’i shikojmë zërat për mendimtarët shqiptarë të së kaluarës, jo vetëm që trajtohen shkurtimisht dhe nuk trajtohen kontributet e tyre themelore, por ka disa prej autorëve që konfigurojnë në këto tre lloj libra, të cilët nuk konfigurojnë fare në enciklopedinë e historisë së Shqipërisë”- u shpreh kryeredaktori i veprës, Dorian Nepravishtaj.
“Enciklopedia antologjike e mendimit shqiptar” e autorit Ndriçim Kulla ekspozon 75 atdhetarë të devotshëm në dritën më të mirë të mundshme, larg çdo hiperbolizimi dhe zbukurimi të panevojshëm, duke na ofruar intervenime akademike, sa ngulmuese aq edhe të qarta, të mveshura me një besueshmëri të paparë sa u përket fakteve dhe dëshmive historike.
Gazetari dhe publicisti, Ndriçim Kulla, tha se bën përpjeke për botimin edhe të një vëllimi të katërt, në të cilin do të përfshihen edhe autorë shqiptarë që jetojnë sot e kësaj dite dhe përveç atyre nga Shqipëria, do të përfshihen edhe mendimtarë nga trevat e Kosovës dhe Maqedonisë. (Miftar Emini, TVM2)
