Maqedoni
Ohër, qytetarët grumbullohen, organizojnë festa, numri i të infektuarve me COVID-19 shumë i lartë
04.02.2021 17:13
Qyteti i Ohrit është në vendin e dytë për nga numri i rasteve aktive të të infektuarve me Covid-19...

Qyteti i Ohrit është në vendin e dytë për nga numri i rasteve aktive të të infektuarve me Covid-19 dhe spitalet janë të mbushura sikurse në fillimet e pandemisë. Sipas autoriteteve kjo ndodh sepse qytetarët janë relaksuar shumë dhe nuk respektojnë rregullat duke organizuar festa dhe grumbullime.
Momentalisht në Ohër ka 397 raste aktive, por mjekët kanë frikë nga një valë e re. Një shqetësim i veçantë është lloji britanik i virusit, i cili është 70% më ngjitës dhe u zbulua tek një person nga Debarca, i cili po trajtohej në spitalin e Ohrit.
“Ne kemi pacientë që janë me të vërtetë me një pamje të rëndë klinike, kështu që ne jemi ende duke punuar në të njëjtin program si në fillim. Pacientët janë të ndarë në tre reparte, në interne, infektive dhe geriatrisë. I gjithë spitali është i zënë nga pacientët me Kovid.”,- deklaroi drejtori i spitalit të Ohrit, Goran Balevski.
Aktualisht, në spitalin e Ohrit janë të shtruar 50 pacientë, të moshës 50 deri 80 vjeç, shumica prej tyre janë me një pamje të rëndë klinike, madje 30 prej tyre janë në mbështetje të oksigjenit. Personeli mjekësor është i lodhur, pothuajse të gjithë vitin ata ditë e natë, me të gjitha forcat merren me pandeminë. Ata vazhdimisht apelojnë qytetarëve që t’ju përmbahen masave.
“Lodhja është e madhe si psikologjike ashtu edhe fizike, nuk është e lehtë, edhe thjesht të veshësh skafandër dhe të rrish për pesë orë, do të lodhesh. Stafi u tregua në dritën e duhur. Unë nuk apeloj, por i lus qytetarët që t’ju përmbahen masave sepse stafi është lodhur nga e gjithë kjo situatë dhe ata duhet të na kuptojnë neve.",- tha drejtori i spitalit të Ohrit, Goran Balevski.
Ndërtimi i spitalit të ri Covid është afër përfundimit dhe qyteti do të marrë 40 shtretër të tjerë shtesë, si dhe mundësinë për të rinovuar Departamentin e Sëmundjeve Infektive pas pandemisë. Menaxhmenti pohon se në periudhën e kaluar nuk ka pasur mungesë të stafit, ka mjaftueshëm mjekë dhe infermierë.
ILMIJE ZHAKU
