Maqedoni
Ministria për Sistem Politik: 1180 administratorë nënshkruan vendimet
04.02.2021 19:18
Një mijë e 180 nëpunës administrativ nga gjithsej 1349 të cilët nuk ishin sistematizuar në vende pune...

Një mijë e 180 nëpunës administrativ nga gjithsej 1349 të cilët nuk ishin sistematizuar në vende pune, kanë nënshkruar vendimet e tyre të reja të punës dhe brenda afatit të paraparë me ligj të njëjtit do të nisin me punë.
Këtë e bëjnë të ditur nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, nga e cila njëherit njoftojnë se 26 nga nëpunësit administrativ kanë refuzuar të nënshkruajnë vendimet e reja të punës.
Të punësuarit që nuk kanë nënshkruar vendimet, u pushon vendi i punës në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive dhe të njëjtit evidentohen në listën për transfer të
Ministrisë për Shoqëri Informatike dhe Administratë.
“Personat udhëheqës në institucionet ku janë sistemuar nëpunësit administrativë të punësuar përmes programit K-5, janë të detyruar të fillojnë procedurën e harmonizimit të akteve për sistematizim në vendet e punës me dispozitat e ligjit për transfer të nëpunësve administrativë të punësuar nëpërmjet programit K-5 në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive në afat prej 30 ditësh nga miratimi i Planit të marrjes sipas nenit 4 të këtij ligji”, thuhet në kumtesën e ministrisë duke shtuar se brenda afatit ligjor, do t’u shpërndahen vendimet edhe 135 nëpunësve administrativ që nuk janë paraqitur fare.
