Konferencë Ndërkombëtare e Shëndetësisë në Shkup

18.11.2014 17:36

Përfaqësues nga sfera e shëndetësisë nga dhjetë shtete të rrjetit shëndetësor të Evropës Juglindore, kanë marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare në Shkup......

Në konferencë u diskutuan çështje të rëndësishme për bashkëpunim rajonal në fushën e shëndetësisë, me qëllim të arrihet një nivel më i lartë sa i përket shëndetit publik për qytetarët e rajonit.

“Unë sinqerisht besoj në bashkëpunimin rajonal dhe besoj se këto 10 shtetet anëtare së bashku mund të bëjnë hapa serioze për të përmirësuar sistemet shëndetësore kombëtare dhe hapa në rritjen e nivelit më të lartë të bashkëpunimit rajonal, si një nga shtyllat kryesore të bashkëpunimit evropian”- deklaroi ministri i Shëndetësisë në RM-së, Nikolla Todorov.

Çdo vend është lider në projekte të fushës së caktuar, prandaj është i rëndësishëm edhe ky lloj komunikimi, vlerëson zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj.

“Mund të them që ka një bashkëpunim të shkëlqyer rajonal, zyra rajonale e parandalimit të sëmundjeve infektive ndodhet në Shqipëri dhe çdo vend është lider në një projekt, në një fushë të caktuar”- tha zëvendësministri i Shëndetësisë i Shqipërisë, Klodian Rjepaj.

Ndërsa drejtoresha e Organizatës Evropiane të Shëndetësisë, Suzana Jakob, vlerësoi se ky takim paraqet një mundësi të mirë për shkëmbimin e përvojave, për zhvillimet në shëndetësi në këto vende.

Në konferencë  u diskutua edhe për ngritjen e burimeve njerëzore dhe arritjen e objektivave të strategjisë shëndetësore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për vitin 2020. (Gyltene Sinani, TVM2)