“Ditët e mësimit të përjetshëm, 2014”

18.11.2014 17:44

Shoqata për Zhvillimin e Arsimit të të Rriturve (SHZHAR), 4 ditë me radhë po organizon “Ditët e mësimit gjatë gjithë jetës, 2014”..........

Kjo fushatë, sipas organizatorëve, do të ndikojë në ndërtimin e kulturës edukativo-arsimore, ndërtimin e një shoqërie që bazohet në dituri, si dhe  zbutjen e papunësisë tek të rriturit.

Drejtoresha e Qendrës për Arsimin e të Rriturve në Shkup, Lindita Qazimi, shprehet se përmes punëtorisë katërditore me teme “Organizatat qytetare dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës” do të bëhet i rëndësishëm arsimi joformal, ashtu siç është arsimi formal.

“Qëllimi ynë i përbashkët është jo vetëm për të rritur nivelin e arsimit dhe kualifikimit, por edhe për të përmirësuar aftësitë e fuqisë punëtore, gjithashtu kemi për qëllim që të rrisim ndërgjegjësimin në lidhje me vlerën e të mësuarit gjatë gjithë jetës, të krijojmë shoqëri në të cilën këto njohuri të fituara do të njihen dhe vlerësohen në mënyrë adekuate nga ana e punëdhënësve dhe nga tregu i punës”- deklaroi drejtoresha e Qendrës për Arsimin e të Rriturve –Shkup, Lindita Qazimi.

“Nëse në vazhdimësi arsimohen dhe zhvillohen, do të jenë më konkurrent në tregun e punës. Në këtë kontekst, të mësuarit gjanë gjithë jetës është një vegël e fuqishme për zvogëlimin e papunësisë, ndërtimin e kulturës së mësimit dhe shoqërisë, të bazuar në shoqëri”- tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.

Miratimi i Ligjit për Arsimin e të Rriturve në vitin 2008 dhe themelimi i institucionit publik, Qendra për Arsimin e të Rriturve, sipas ministrit Ademi, janë dëshmi se Maqedonia punon në avancimin e arsimit te të rriturit. (Sanije Kasami, TVM2)