Arifi, fton qeverinë të rishqyrtojë vendimin për “Jugohromin”
Kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, i bën thirrje qeverisë që të rishqyrtojë vendimin për kompaninë “Jugohrom”.......

Ky është një problem madhor dhe kërkon angazhim serioz nga të gjitha institucionet relevante, thekson Arifi, duke shprehur shqetësimin e saj për nivelin e lartë të ndotjes në rajonin e Pollogut.
"Gjendja aktuale e krijuar nga shtimi i substancave ndotëse në atmosferë është problem madhor, për zgjidhjen e të cilit nevojitet angazhim serioz nga të gjitha institucionet relevante, prandaj shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje Qeverisë së Republikës së Maqedonisë ta rishqyrtojë vendimin e fundit për lejimin e vazhdimit të punës së Fabrikës “Jugohrom” për dy vitet e ardhshme pa respektimin e obligimeve ligjore, gjegjësisht pa vendosjen e filtrave mbrojtës dhe pa përmbushjen e standardeve ekologjike”- deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Rreth kësaj çështje ka debatuar sot edhe Këshilli i Komunës së Tetovës. Në seancë u diskutua për masat preventive ekologjike dhe aktivitetet afatshkurte dhe afatgjate, që duhet t’i ndërmerr Komuna e Tetovës në bazë të kompetencave ligjore, për t’u ballafaquar me ndotjen enorme të vazhdueshme të ajrit ambiental në Komunën e Tetovës, me theks të veçantë për periudhën vijuese dimërore, kur çështja e ndotjes së ajrit merr përmasa kritike.
Kryetarja Arifi, sqaroi se informata e propozuar për miratim të Këshillit të Komunës së Tetovës përmban masat që në bazë të kompetencave ligjore të Komunës duhet të ndërmerren në plan afatshkurtë dhe afatgjatë, për të reduktuar maksimalisht nivelin e ndotjes së ajrit ambiental dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të Tetovës.
“Ky dokument, që pas miratimit do të jetë kornizë për veprim të Komunës së Tetovës, ndër të tjera, parasheh miratimin e planit për përmirësim të ajrit ambiental, miratimin e planit afatshkurtë për mbrojtje të ajrit ambiental, informimin e vazhdueshëm të opinionit për gjendjen e ajrit ambiental, larjen e rrugëve të qytetit me aplikimin e kalciumit, magneziumit dhe acetatit, me qëllim të zvogëlimit të prezencës së grimcave PM10 dhe PM 2,5, realizimin e sforcuar të mbikëqyrjes inspektuese nga ana e Sektorit të Mbikëqyrjes Inspektuese të Komunës së Tetovës, pastrimin dhe larjen intensive të rrugëve, sidomos përreth kontejnerëve të ndërtimit, kufizimin e kohës së shpërndarjes së mallit nga automjetet me leje për shpërndarje deri në orën 8:00 të mëngjesit, vendosjen e regjimit të komunikacionit për automjete të rënda ngarkimi, destinimi i fundit i të cilëve nuk është qyteti i Tetovës”- tha kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Kryetarja Arifi, po ashtu shtoi se në këtë plan janë paraparë edhe masa dhe aktivitete tjera, të cilat në plan afatshkurtë do ta reduktojnë ndotjen e ajrit ambiental, ndërsa në plan afatgjatë do të krijojnë kulturë të veprimit të vazhdueshëm dhe do të ndikojnë në mënyrë preventive, që problemi i ndotjes enorme të ajrit mos të paraqitet përsëri në të ardhmen. (Miftar Emini, TVM2)
