Maqedoni
Vaksinat Anti-Covid, BE pranon mangësitë në prokurimin e vaksinave
05.02.2021 12:31
Europa duhet të bashkohet për të përshpejtuar fushatën e saj të vaksinimit kundër Covid-19...

Në Bashkimin Evropian, vetëm 2.5% e popullsisë ka marrë dozën e parë të vaksinës, megjithëse njoftimet nga disa laboratorë për rritjen e dërgesave të vaksinave kanë rritur shpresat për një përshpejtim të procesit. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka deklaruar se kulmi i valës së dytë të Covid është tejkaluar, por që vendi duhet të rezistojë pak më shumë për të parë efektet e vaksinimeve në presionin e spitalit.
Por BE pranon mangësitë në prokurimin e vaksinave. Për herë të parë, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Layen, pranoi të metat në nivelin Evropian në prokurimin e vaksinës së koronavirusit. Nga perspektiva e sotme, Von der Layen thotë që duhej të mendohej paralelisht për sfidat e prodhimit masiv. Ajo kujtoi se Komisioni Evropian urdhëroi deri në 2.3 miliardë doza vaksinash për 27 nga anëtarët e tij nga gjithsej gjashtë prodhues të vaksinave. Aktualisht, kompanitë po japin më pak sesa pritej ose premtohej.
"Ne duhet t'u kishim shpjeguar njerëzve se gjithçka po përparon, por ngadalë, dhe se mund të ketë probleme dhe vonesa në këtë procedurë krejtësisht të re. Sidoqoftë, ne nënvlerësuam se çfarë ndërlikimesh mund të ndodhin. Ne u përqendruam shumë në pyetjen nëse do të ketë vaksina, domethënë në zhvillimin e saj.", shpjegoi ajo.
Vaksinat Anti-Covid, OBSH apel për bashkëpunim mes BE-së dhe kompanive
Nga ana tjetër OBSH nxit Europën dhe kompanitë farmaceutike që të bashkëpunojnë për vaksinat. Drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge pranoi se është i shqetësuar për rrezikun e varianteve në efektivitetin e vaksinave. Franca ka njoftuar se merr nesër dozat e para të vaksinës së prodhuar nga Astra Zeneca. Njoftimin e bëri kryeministri Jean Castex, sipas të cilit kjo sasi do të ndihmojnë në përshpejtimin e procesit për vaksinimin e popullatës.Franca do të pranojë edhe 1.7 milion doza të tjera në fund të shkurtit dhe marsit, teksa vendi synon të vaksinojë kundër koronavirusit 4 milionë persona deri në fund të muajit. Gati 105 milionë infeksione janë regjistruar në të gjithë botën që nga fillimi i pandemisë, me 2 282 477 vdekje.
FARIJE DAUTI BAKIU
