Maqedoni
Procesi integrues i RMV- së dhe Shqipërisë, Xhaçka: Kushtet e integrimit i kemi plotësuar
05.02.2021 14:30
Ministrja për Evropën dhe Punët e jashtme të Shqipëri Olta Xhaçka ka pritur në një takim homologon e saj të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani....

Ministrja për Evropën dhe Punët e jashtme të Shqipëri Olta Xhaçka ka pritur në një takim homologon e saj të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani. Ministrja Xhaçka tha se dy vendet kanë punuar fort në rrugën drejt integrimit, ndaj sipas saj, ka ardhur koha për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare. Ajo shtoi se në Shqipëri dhe Maqedoni janë hedhur hapa të guximshëm sepse populli beson tek perspektiva europiane. Xhaçka vlerësoi edhe rolin kyç të faktorit shqiptar në qeverisjen e Maqëdonisë së Veriut.
“Ne, pjesa dërrmuese e popullsive tona, besojmë tek perspektiva evropiane. Do të ishte për të ardhur keq, në qoftë se kjo punë kaq e madhe e ky besim kaq i madh do të zhgënjeheshin sërish, për shkak të konsideratave subjektive, politike të vendeve anëtare, në një moment që vlerësimi objektiv, teknik nga ana e Këshillit dhe vendimi i tij në mars 2020 ka qenë pozitiv..Të dyja vendet tona, siç e ka konfirmuar edhe vetë Këshilli në Mars 2020, i kanë plotësuar kushtet për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Dhe të dyja vendet tona kanë bërë shumë punë për të plotësuar kushtet. Në këtë pikë, dua në fakt të vlerësoj maksimalisht vendosmërinë dhe punën e Kryeministrit Zaev, të qeverisë së tij, të koalicionit qeverisës dhe të faktorit shqiptar, për të çuar përpara integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.”, tha ministrja për Evropën dhe Punët e jashtme të Shqipëri Olta Xhaçka.
Osmani: Anëtarësimi në BE nuk ka alternativë
Si kryefjalë në konferencë, Osmani pati marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, ndërsa theksoi edhe rëndësinë e dialogut Prishtinë-Beograd, për rolin e tij në stabilitetin rajonal.
"Marrëdhëniet midis dy vendeve tona prej kohësh e kanë kaluar pragun e fqinjësisë së mirë dhe janë bazë e themeleve të miqësisë stabile dhe afatgjatë. Besoj se është përtej interesave të dy vendeve tona dhe është një nga shtyllat për stabilitetin sigurinë dhe prosperitetin e gjithë rajonit. ..Qëllimet dhe interesat për zhvillimin e bashkëpunimit rajonal janë të dyanshme. Si fqinj të afërt jemi drejtpërdrejtë interesuar për suksesin e dialogut Prishtinë-Beograd të udhëhequr nga BE dhe SHBA, i cili në masë të madhe do të frymëzojë një impuls të ri të besimit në rajon. Kontributi ynë në bashkëpunimin rajonal është i sinqertë dhe i hapur, pa marrë parasysh sa flitet brenda procesit të Berlinit apo nga minishengeni rajonal.", tha Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme, RMV.
Osmani i ka prezantuar Xhaçkës një iniciativë të re për bashkëpunim 3-palësh mes Shqipërisë, Bullgarisë dhe RMV-së, e quajtur si iniciativa 8.
"Është një iniciativë e mirë që duhet të rinovojë mbështetjen politike, për projektet e infrastrukturës përgjatë korridorit 8 europian duke lidhur kështu Lindjen dhe Perëndimin e Ballkanit nga Adriatiku në Detin e Zi. Të tre vendet, RMV, Shqipëria dhe Bullgaria mund të gjejnë një forum të vlefshëm për promovimin e bashkëpunimit tre palësh duke intensifikuar shkëmbimin e përgjithshëm politik ekonomik të sigurisë, atë kulturor dhe shoqëror që do të forcojë besimin mes qytetarëve tanë.”, tha Osmani.
Mes temave të diskutimit ka qenë edhe ai për forumin e Prespës për dialog, ndërsa gjatë takimit dypalësh është nënshkruar edhe një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e diasporës.
LULJETA NDOKA
