Hapet Qendra për Zhvillim të Hershëm në lagjen “Tullana” të Gostivarit
Fëmijët nga mosha 3 deri në 6 vjeç, në lagjen “Tullana” në Gostivar, nga sot do të kenë mundësi që të zhvillohen dhe edukohen më drejt, pasi që në këtë lagje u hap Qendra për Zhvillim të Hershëm të Fëmijëve nga mosha 3 deri në 6 vjeç, në kuadër të Shkollës Fillore periferike “Bashkimi”........

“Këtë projekt ne do të vazhdojmë ta zhvillojmë edhe nëpër shkollat e tjera, në bashkëpunim me UNICEF-in, që t’i përfshijmë fëmijët në mësimin e hershëm të moshës 3-6 vjeçare”, deklaroi kryetari i Gostivarit, Nevzat Bejta.
Nga ana tjetër, zëvendëspërfaqësuesja e UNICEF-it shprehu besimin se kjo qendër më tej do të jetë e suksesshme në realizimin e qëllimeve për edukim të fëmijëve që në moshën parashkollore.
Komuna e Gostivarit ka siguruar mjedise të përshtatshme, të vendosura në objektin e Shkollës Fillore periferike “Bashkimi”, në lagjen “Tullana” në Gostivar, si dhe mbulon shpenzimet e vazhdueshme (energji elektrike, ujë, ngrohje) për këtë qendër.
Ndërkaq, UNICEF-i siguroi lyerjen e hapësirave të Shkollës “Bashkimi” në lagjen “Tullana” në Gostivar, ku është vendosur Qendra për Zhvillim të Hershëm të Fëmijëve, si dhe ka bërë mobilimin e përshtatshëm të objektit.
Qendra në lagjen “Tullana” hapet si pjesë e iniciativës ndërmjet disa vendeve për arsim inkluziv të romëve, financuar nga Qeveria e Austrisë. (Lulzim Haziri, TVM2)
