OBSh: Shpërndarje e pabarabartë e vaksinave
OBSh kërkon zhvillim masiv të kapaciteteve....

OBSh kërkon zhvillim masiv të kapaciteteve të prodhimit të vaksinave anti COVID-19 që të mos zbehet progresi në luftën kundër pandemisë. Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, përmendi shembullin e grupit farmaceutik francez Sanofi, i cili ka mbetur prapa në zhvillimin e vaksinës së tij, por ka ofruar të prodhojë duke nisur nga vera atë të konkurrentit Pfizer/BioNTech.
Ai u bëri thirrje kompanive të tjera të ndjekin këtë shembull. Rritja e kapacitetit të prodhimit në shkallë globale do të bënte që vendet e varfra të ishin më pak të varura nga vendet e pasura”, theksoi drejtori i përgjithshëm i OBSh-së.
“130 shtete në mbarë globin nuk kanë marrë ende asnjë dozë vaksine, ndërkohë që 75% e vaksinave të injektuara deri më tani i përkasin vetëm 10 shteteve. Sa më shumë kohë që duhet për të vaksinuar ata që janë më të rrezikuar kudo, aq më shumë mundësi i japim virusit të shndërrohet në variante të reja dhe të bëhet rezistent ndaj vaksinave nëse virusi nuk luftohet kudo, ai mund të ringjallet globalisht.”,- deklaroi drejtori i përgjithshëm i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Vonesa e shpërndarjes së vaksinave në BE, tashmë është një krizë e pranuar nga vetë zyrtarët e lartë ndërsa shumica e vendeve të rajonit po kërkojnë alternativa të tjera në tejkalimin e ngërçit. Në këto kushte, drejtori i OBSh-së për Europën, Hans Kluge kritikon pabarazinë në blerjen e vaksinave dhe i bën thirrje qeverive që të ndajnë doza edhe për Ballkanin, pa pritur të vaksinojnë 70% të popullsisë së tyre.
“Ne e dimë që BE, Kanadaja, Britania e e Madhe dhe SHBA, kanë porositur katër deri në nëntë herë më shumë doza vaksine, se sa kanë nevojë. Jam i mendimit, që nuk duhet pritur, deri sa të vaksinohen 70% e popullsisë, për të filluar të ndahen vaksinat me Ballkanin, me Azinë Qendrore apo Afrikën. Ne duhet të bashkohemi dhe prodhuesit farmaceutikë duhet të rrisin në mënyrë të jashtëzakonshme kapacitetet e prodhimit.”,- ka thënë drejtori i OBSh-së për Europën, Hans Kluge.
Numri i rasteve me COVID-19 në mbarë botën ka shkuar në mbi 106 milionë. Në të gjithë botën, nga COVID-19 kanë humbur jetën mbi 2 milion persona, janë shëruar mbi 77 milion persona, ndërsa në mbarë botën mbi 25 milion persona vazhdojnë trajtimin. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)
