LSDM, “E diela, ditë jopune”

06.02.2021 16:39

E diela do të jetë ditë jopune....

E diela do të jetë ditë jopune. Qeveria paralajmëron ndryshime ligjore për marrëdhëniet e punës, që kjo edhe të realizohet në përpjekje për respektimin e të drejtave të punëtoreve. Socialdemokratët thonë se po vijojnë konsultime të gjëra me palët e përfshira me qëllim të arritjes së barazisë sociale.

“Qeveria e kryesuar nga LSDM dhe kryeministri, Zoran Zaev, fuqishëm është e përkushtuar në mbështetjen e punëtorëve dhe mbrojtjen dhe avancimin e vendeve të punës. Në konsultim të gjerë dhe inkluziv me gjitha palët e përfshira po vijon procesi i ndryshimit të ligjit për marrëdhënie pune me të cilin e diela bëhet ditë jo pune, gjegjësisht e diela do të bëhet ditë jo pune për pjesën më të madhe të punëtorëve.”,- deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.

Zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi, ka thënë se veprimtari të caktuar, puna e të cilëve s’mund të ndërpritet do të punojnë të dielave dhe punëtorët do të paguhen në përputhje me marrëveshjet kolektive.

Të tjerët që do të obligohen ligjërisht të mos punojnë dhe do të veprojnë në kundërshtim me vendimin atëherë parashikohen ndëshkime rigoroze.

Nga LSDM thonë se qeveria mbetet e përkushtuar në avancimin dhe ruajtjen e vendeve të punës edhe përkundër krizës Kovid. Me 1.2 miliard euro janë shpëtuar qindra mijëra vende pune në mijëra kompani. (Meral Ismaili, TVM2)