Regjistrimi, Mickovski: Presim mbledhjen e nënshkrimeve

06.02.2021 17:25

Kreu i VMRO-DMNE-së opozitare, Hristijan Mickovski....

Kreu i VMRO-DMNE-së opozitare, Hristijan Mickovski, thotë se partia e tij mbetet në qëndrimin e saj lidhur me regjistrimin e popullsisë. Ai tha se po presin kalimin e procedurave për mbledhjen e nënshkrimeve dhe më pas së bashku me iniciativën e grupit të tyre parlamentar ta vendosin për shqyrtim në Kuvend.                                                                                                                  

“Ne filluam procedurën tonë për mbledhjen e nënshkrimeve të cilat praktikisht do ta ndihmojnë ligjin të cilin grupi parlamentarë i VMRO-DPMNE-së do ta parashtrojë në kuadër të parlamentit për anulimin e ligjit për regjistrim. Pasi të mbledhim minimum 10 mijë nënshkrime që së bashku me iniciativën e grupit parlamentarë të koalicionit për Ripërtëritjen e Maqedonisë ta dorëzojmë në kuvend dhe menjëherë kryeparlamentari ta vendosë në rend dite dhe të hapim debatin për këtë ligj.”,- deklaroi Hristijan Mickovski nga VMRO-DPMNE.                                                                                                                                                        

Metodologjia e publikuar për regjistrimin e popullsisë sipas Mickovski përbën një operacion të dyfishtë. Sipas tij, nuk ka nevojë dyfishimin e aktiviteteve. 

Qeveria: Regjistrim me standardet e OKB-së dhe Eurostat-it

Por, nga Qeveria thonë se bazuar në Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë, Metodologjia për zbatimin e regjistrimit është në përputhje me standardet e OKB-së dhe Eurostat. 

“Metodologjia synon të sigurojë parime unike për organizimin e regjistrimit dhe zbatimin unik të bazave metodologjike në regjistrim dhe është menduar për të gjithë pjesëmarrësit në regjistrim të përcaktuar me Ligjin për Regjistrimin, por edhe për të gjithë përdoruesit e rezultateve të regjistrimit. Ai përmban të gjitha sqarimet e nevojshme metodologjike-organizative dhe teknike, në mënyrë që të sigurojë zbatimin e qasjes së re metodologjike të kombinuar dhe teknologjisë së re për kryerjen e regjistrimit.  Për më tepër, për herë të parë do të kryhet një regjistrim në terren duke përdorur lap-topë nga regjistruesit, të lidhur me aplikacion të zhvilluar posaçërisht në internet të vendosur në cloud, në vend të pyetësorëve prej letre. Kjo zvogëlon kohën e nevojshme për mbledhjen e të dhënave, zvogëlon koston e operacionit të regjistrimit, kërkon më pak kohë për të përpunuar të dhënat përfundimtare, të dhënat e regjistrimit do të merren më shpejt dhe do të sigurohet një nivel shumë më i lartë i cilësisë së të dhënave të regjistrimit,- thonë nga qeveria duke shtuar se njësitë që do të mbulohen në regjistrim janë: personat, familjet dhe banesat.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, Regjistrimi do të sigurojë të dhëna për tre kategori të popullsisë:                                                                     

– Popullsia totale e banorëve;

– Popullsia e përgjithshme jorezidente;

– Popullsia totale e regjistruar, një kategori që përfshin dy kategoritë e mëparshme të popullsisë”, thonë nga Qeveria. (Naim Ramadani, TVM2)