ASh-Alternativa: Doli në shesh politika hileqare me regjistrimin
Koalicioni opozitar i partive shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa....

Koalicioni opozitar i partive shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, ka kritikuar metodologjinë e regjistrimit, e publikuar nga Enti i Statistikës, e cila sipas kësaj partie për të satën herë, dëshmon misionin antishqiptar i këtij institucioni. Sipas këtij koalicioni, doli në shesh politika hileqare e shtetit me regjistrimin.
“Disa herë kemi tërhequr vërejtjen, qoftë në parlament, qoftë në studiot televizive. Potenconim se çdokund metodologjia është pjesë përbërëse e ligjit. Zëvendësministri i drejtësisë që e mbronte ligjin, na siguronte se gjithçka është e kalkuluar dhe nuk do ketë asnjë problem. Fatkeqësisht doli që koalicioni ynë paska pasur të drejtë. Pra, me shpalosjen e metodologjisë nga ana e drejtorit të entit statistikor, familjarët nuk do e kenë të drejtën të deklarojnë përkatësinë etnike dhe fetare të afërmve të tyre që janë në mërgim. Imagjinoni, me këtë metodologji mërgimtarët tanë nuk do të mund ta deklarojnë përkatësinë etnike dhe fetare të tyre. Konsiderojmë se me këtë metodologji, vazhdon gjenocidi ndaj shqiptarëve nga ana e entit shtetëror për statistikë. Kësaj radhe me përkrahje direkte të partisë shqiptare në pushtet BDI-së”, thonë nga Ash-Alternativa, nga e cila në mënyrë kategorike kundërshtojnë metodologjinë e tillë të shpalosur nga drejtori i Entit të Statistikës dhe kërkojnë intervenim të menjëhershëm në përmirësimin e saj.
