Maqedoni
Turizmi më i prekur nga covid në Strugë – Ohër, hotelierët me shpresë për një sezon më të mirë
07.02.2021 14:57
Sektori i turizmit është një nga më të prekurit nga pandemia e COVID 19...

Hotelet dhe qendrat tjera turistike në Strugë dhe Ohër pësuan humbje të mëdha në sezonin veror të vitit të kaluar ku sezoni për ta zgjati vetëm dy muaj, kurse gjatë dimrit ku hotelet pothuajse nuk punuan fare dhe mbanin hapur vetëm restorantet.
Hotelierët thonë se ka qenë e vështirë për ta që të mbulojnë harxhimet e hotelit, megjithatë shprehen optimistë se situata do të përmirësohet dhe sezoni i ardhshëm do të jetë më i mirë.
“Neve ekzistencën tonë krijojmë vetëm prej restorantit se dhomat normalisht nuk kanë asnjë rezervim për sezonin dimëror. Për sezonin veror ne kemi bërë kontrata por nuk e dim se sa mund të vijnë ata turistë", u shpreh pronar i një hoteli Erhan Papraniku.
Nga shoqata e hotelierive thonë se marrëveshjet me operatorët turistik të huaj që u anuluan vitin e kaluar, janë rinovuar për këtë vit por ende nuk dihet se si do të shkojë edhe ky vit për shkak të situatës.
“Rezervimet e bazuara në kontratat me operatorët që kemi pas vitet e kaluara, janë rinovuar këtë vit, si do të shkojnë punët nuk e dimë akoma, vitete e kaluara në maujin janar e kemi dit si do të shkojë sezoni, shitjet aktualisht vazhdojnë për muajt e verës nga maji deri në tetor dhe shpresojmë të marrim një përgjigje më të saktë së shpejti për të parë se sa përqind e marrëveshjeve do të realizohen”, theksoi kryetari i HOTAM, Kërste Blazheski.
Disa nga hotelet ende nuk kanë marrë subvencione për pagat e punonjësve, por pritet që në paketën e pestë ekonomike të përfshihen edhe subvencionet, por edhe të ulen taksat për hotelet.
“Për subvencionet kemi kërkuar tek paketa e pestë, ku kemi kërkuar për pagat dhe për diçka tjetër, për uljen e DDV për këtë vit, për pjesë të tjera që lidhen me turizmit, si përshembull rent a car, restorantet dhe të tjera, me disa detaje mbi secilën pjesë se si mund të ndihmohet, por ajo ende nuk ka kaluar dhe ende nuk kemi një përgjigje a do të marrim apo jo”, u shpreh Blazheski.
Vitin e kaluar shumë hotele dhe qendra të tjera turistike, nga pamundësia për të mbuluar shpenzimet, vunë çelës në bizneset e tyre. Hotelierët shprehen se nëse situata vazhdon kështu dhe edhe ky vit do të kalojë pa turistë të huaj, ndërsa shumë prej tyre do të mbeten pa punë.
ILMIJE ZHAKU
