Maqedoni

VMRO-DPMNE: Bytyqi nxorri në pah gënjeshtrën e Zaevit

07.02.2021 16:18

Në vend të 1.2 miliard eurove ndihmë sa thoshte kryeministri Zaev...

Në vend të 1.2 miliard eurove ndihmë sa thoshte kryeministri Zaev, qeveria ka dhënë vetëm 350 milion, thonë nga VMRO-DPMNE. Këtë sipas tyre e pranoi vet zv/ kryeministri Fatmir Bytyqi i cili sipas VMRO-së nxori në pah gënjeshtrën e kryeministrit Zaev.
 
Nga partia opozitare shprehen se megjithë marrjen e borxheve nga Banka Botërore, ribalancin e buxhetit dhe shpalljen e gjendjes së krizës, qeveria nuk arriti të përmbush kërkesat e bizneseve. Nga VMRO ngrejnë dilemën se ku kanë shkuar gjithë ato para. 
 
"Edhe përskaj të gjtiha mjeteve që qeveria i morri dhe e rriti borxhin publik për 1 miljard euro, për ekonominë dhe popullatën kanë ndarë 350 miljon euro. Pyesim se nëse LSDM thotë se ndihmën të cilën ja kanë dhënë ekonomisë është 1 miljard e 200 miljon euro, kurse Fatmir Bytyqi thotë se 350 milion euro, atëherë ku kanë përfunduar 850 milion euro?", u shpreh Gordana Dimitrievska Koçovska nga VMRO-DPMNE.
 
Ky reagim i VMRO-DPMNE-së vjen pas konferences së djeshme të mbajtur nga ana e zv.kryeministrit Bytyqi, I cili theksoi se shkas për mos arritjen e më shumë parave te qytetarët është joarsyeshmëria e aktorëve kryesor politk, duke aluduar në opozitën. Sipas Bytyqit shumë ligje u bllokuan në Kuvend.  
 
LSDM: Shpëtuam mijëra vende pune 
 
Nga LSDM thonë se me ndihmat në kohë dhe efikase përmes katër pakove të masave anti-krizë Qeveria ka shpëtuar mijëra vende pune në dhjetëra mijëra kompani. 
 
“Mbështetja për ekonominë, për punëtorët dhe qytetarët vazhdon edhe me pakon e pestë të masave, e cila është në fazën përfundimtare. LSDM mbetet e përkushtuar në krijimin dhe realizimin e masave dhe politikave që do ta kthejnë nderin e punëtorëve dhe sigurojnë standard më të lartë për të gjithë qytetarët”, thonë nga LSDM. 
 
ERSAN PAJAZITI