Maqedoni
Filipçe: Marrëveshje me “Sinofarm” për vaksinat kineze
08.02.2021 14:41
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, nënshkroi marrëveshjen për sigurimin e 200 mijë vaksinave anti-Kovid...

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, nënshkroi marrëveshjen për sigurimin e 200 mijë vaksinave anti-Kovid nga kompania farmaceutike kineze “Sinofarm”. Siç bën të ditur ministri Filipçe, vaksinat kineze do të arrijnë në aeroportin e Shkupit, gjatë këtij muaji, kur do të nisë edhe vaksinimi, sipas planit detal të publikuar paraprakisht.
“Transporti do të bëhet me aeroplan. Tërë organizimi do të marrë disa ditë. Brenda disa ditësh do të dihet se kur do të arrijë, do t’u njoftoj. Nuk dua të spekuloj sepse disa ditë mund të ketë dallim. Do të arrijnë në aeroportin e Shkupit.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë plan detal për procesin e vaksinimit në tri faza. Vaksinimi do të nis këtë muaj, ndërsa të gjitha vaksinat janë të sigurta për qytetarët, thotë ministri i shëndetësisë.
“Efikasiteti i vaksinave kineze ka publikime të ndryshme, lëvizë nga 60 deri në afërsisht 90%, mendoj se mjaftueshëm për arritjen e efikasitetit të dëshiruar, për arritjen e imunitetit kolektiv. Vaksina e “Fajzer” dhe të gjitha të tjerat së bashku me vaksinën kineze kanë absolutisht nivel të njëjtë të sigurisë. Janë zhvilluar në platforma të sigurta, nuk ka hapësirë për dyshim në asnjë vaksinë. Bisedojmë me kompaninë “Fajzer”. “Moderna” që nga fillimi na njoftoi se sasia më e vogël për të cilën bisedonin është me të vërtetë shumë, pasi sasia më e vogël për të cilën bisedojnë është 2 milion doza për tregun tonë, duke e pasur parasysh se ishim përfshirë edhe në sistemin “Kovaks” dhe në bisedime me “Fajzer”.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko FIlipçe.
Vaksina e “Sinofarm” ruhet në temperature prej 2 deri në 8 gradë, ndërsa janë të paketuar në shiringa të mbushura paraprakisht, që e lehtëson procesin e vaksinimit, thonë nga Ministria e Shëndetësisë. Ky lloj vaksinash mund t’u jepet të gjithë qytetarëve, pa kufizim në çfarëdo baze. Terminet për vaksinim në institucionet e shëndetit publik do të jenë nga 10 minuta për pacientë, ndërsa do të punohet në dy ndërrime, me qëllim që të arrihet përqindje sa më e lartë e vaksinimit në nivel ditor.
Me 200 mijë vaksinat e siguruara nga “Sinofarm” do të vaksinohen 100 mijë qytetarë, duke filluar nga personeli mjekësor në qendra Kovid, kategoritë e rrezikuara dhe të moshuarit mbi 70 vjeç. Për çdo qytetar që do të marrë dozën e parë do të rezervohet menjëherë dhe e dyta që duhet të merret pas 21 ditësh. Në nivel ditor pritet të vaksinohen prej dy mijë deri në dy mijë e 500 qytetarë. Vendi mbetet i angazhuar edhe për sigurimin e vaksinave nga Kompania “Fajzer”, për të cilat pritshmëritë e ministrit janë se do të arrijnë në mars. Në bazë të dinamikës së arritjes së këtyre vaksinave dhe atyre nga sistemi Kovaks, do të bëhet plan për furnizimin e mëtejmë të sasive tjera vaksinave, kanë bërët ë ditur nga Ministria e Shëndetësisë nga e cila tani për tani nuk planifikojnë furnizim me vaksinën ruse.
GYLTENE SINANI
