Maqedoni
Xherard: RMV është partner i besueshëm i NATO-s
08.02.2021 15:14
RMV është partner i besueshëm i NATO-s dhe ushtrisë amerikane, deklaroi në Shkup ndihmës-komandanti i Forcave Amerikane në Europë...

RMV është partner i besueshëm i NATO-s dhe ushtrisë amerikane, deklaroi në Shkup ndihmës-komandanti i Forcave Amerikane në Europë, Gjeneral – Major Xhozef Xherard, pas takimit me ministren e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
“RMV është një partner i besueshëm i sigurisë së Aleancës. Vendi juaj është treguar edhe si lider i iniciativave të sigurisë në rajon, siç është Karta e Adriatikut, dhe Forcat medicinale ushtarake, me ju jemi duke punuar në disa projekte e tani do ta fillojmë edhe në projektin “Mbrojtja e Europës 21””,- tha ndihmës-komandanti i Forcave Amerikane në Europë, Gjeneral Major Xhozef Xherard.
Shekerinska: Anëtarësimi në NATO, synim 30 vjeçar
Anëtarësimi në NATO ishte një synim 30 vjeçar i vendit, që u arrit edhe me mbështetjen e SHBA-ve, deklaroi ministrja e mbrojtjes, Shekerinska.
“RMV 30 vite e kishte këtë qëllim strategjik dhe plot 30 vite kemi besuar në mbështetjen amerikane. Integrimi në NATO është suksesi jonë më i madh që nga periudha e pavarësisë e deri më tani.”,- u shpreh ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
Ministrja Shekerinska njëherit informoi se gjatë këtij muaji në Krivollak do të arrijnë anëtarë të Batalionit të 15 të inxhinierisë pranë Forcave Amerikane në Evropë, të cilët së bashku me inxhinierët tanë do të punojnë në ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës. Njëherit u bë e ditur se në këtë poligon do të realizohet edhe stërvitja ushtarake “Goditja 21”, ku do të marrin pjesë rreth 2000 trupa ushtarakë nga RMV, ShBA, Greqia dhe Bullgaria.
FITIM KRYEZIU
