Maqedoni

Bellçishta: Mjekët amë i njohin më mirë pacientët e tyre

08.02.2021 17:40

Vaksinimi me vaksinën anti Kovid do të realizohet nëpërmjet mjekut amë dhe sistemit “Termini im”...

Vaksinimi me vaksinën anti Kovid do të realizohet nëpërmjet mjekut amë dhe sistemit “Termini im” ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë. Por, nga Shoqata e Mjekëve privatë kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të kërkojnë një mënyrë tjetër të organizimit të vaksinimit, pasi vlerësojnë se në këtë periudhë ata janë tejet të ngarkuar.
 
Por, mjekja Sofjane Bellçishta thotë se për atë se cilët pacientë mund të vaksinohen më së miri është të vendos mjeku amë, sepse ai i njeh më së miri pacientët dhe problemet e tyre shëndetësore. Por, edhe ajo thekson se për shkak situatës me virusin Korona, mjekët amë janë më të ngarkuar me punë.   
                                                                                                      
“Më mirë ne që i njohim pacientët, ne kemi historinë e tyre dhe kur hapim kartonët, kemi një histori të pacientit me çfarë sëmundje kronike janë, kur ka qenë i sëmurë, në cilën kohë më tepër sëmuret     dhe kur ka alergji. Do të thotë se përsëri ne më lehtë mund të vendosim se cili pacient mund të marrë vaksina, se sa një person i tretë që e bën programin se kur duhet të vaksinohet pacienti.”,- deklaroi doktoresha, Sofjane Bellçishta.
 
Nuk preferohet vaksinimi i personave me alergji
 
Bellçishta thotë se tanimë është bërë ndarja e pacientëve sipas grupmoshave dhe këto të dhëna i posedon Ministria e Shëndetësisë. Por, ajo thotë se personat të cilët kanë alergji në ushqime dhe barna nuk  preferohet të vaksinohen.   
                                                                             
“Kemi një numër të madh të pacientëve që janë të moshuar dhe i kemi ndarë ata pacientë prej grupmoshave me sëmundje kronike, mendoj që duhet të marrim vaksinën, i kemi ndarë në disa grupe  dhe i kemi dërguar në “Termini im” në Ministrinë e Shëndetësisë  dhe ata do të shohin se për cilët pacientë vaksina do të duhet të jepet  dhe paraqiten tek mjeku amë se për cilën ditë dhe nëpërmjet programit të caktojmë termine në anë të udhëzimeve që përgatiten nga mjeku amë. Shumica që kanë alergji në ushqime apo barna nuk është e preferuar që ata pacientë të vaksinohen dhe në konsultime do të vendosim se çfarë vaksine mund të marrin.”,- tha Bellçishta. 
 
Vaksinimi do të nisë me grupet e rrezikuara të ndarë në dy grupe A dhe B. Në grupin A janë punëtorët shëndetësorë, në  grupin B mundësi për vaksinim do të kenë të moshuarit e grupmoshës mbi 70 vjeç, pasi te kjo grupmoshë vdekshmëria nga virusi ka qenë më e lartë.
 
Në fazën e dytë do të vaksinohen personat e moshës mbi 65 vjeç, pastaj persona nga 18 deri në 64 vjeç me gjendje shëndetësore të rrezikut të lartë. 
 
REJHANE BUSHI METAJ