Botë
SHBA, në prag të gjyqit në Senat
09.02.2021 09:55
Në prag të gjyqit të tij në Senat me akuzën e nxitjes së rebelimit të 6 janarit në Kapitol...

Në prag të gjyqit të tij në Senat me akuzën e nxitjes së rebelimit të 6 janarit në Kapitol, avokatët e ish-Presidentit Donald Trump mohuan të hënën që ai të kishte inkurajuar dhunën.
Ata sulmuan demokratët dhe sfiduan përsëri kushtetutshmërinë e procedurës. Ekipi i mbrojtjes, në përpjekje për të bindur anëtarët e Senatit me 100 anëtarë që të mos e dënojnë ish-Presidentin apo ta ndalojnë atë të kandidojë përsëri, deklaruan në një përmbledhje me shkrim se ata nuk do të bëjnë asnjë lëshim. Gjyqi, thanë ata, është një “akt politik i paskrupullt” i demokratëve, që synon “t’i mbyllë gojën një kundërshtari politik dhe një partie pakicë”.
Akuza për “nxitje rebelimi”, e miratuar më 13 janar nga Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët përqendrohej tek fjalimi i Trump para një turme ndjekësish, pak para se shumë prej tyre të sulmonin Kapitolin, duke i detyruar ligjvënësit të largoheshin dhe të shkonin në një strehim të sigurt. Nga dhuna më 6 janar humbën jetën pesë persona, duke përfshirë një oficer policie. Avokatët mbrojtës deklaruan se Trump foli thjesht në “kuptim figurativ”, kur ai u tha ndjekësve të shkonin në Kapitol dhe “të luftonin me çdo kusht” në kohën që Kongresi po çertifikonte zyrtarisht fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit. Përdorimi nga Trump i fjalës “luftë”, tha mbrojtja, “nuk mund të interpretohet si inkurajim për akte dhune.”
