Maqedoni
Regjistrimi i personave që jetojnë jashtë, vetëregjistrim online në aplikacionin e ESHS-së
09.02.2021 12:30
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, që jetojnë apo qëndrojnë jashtë vendit nga 1 deri më 21 prill në periudhën kur do të kryhet regjistrimi...

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, që jetojnë apo qëndrojnë jashtë vendit nga 1 deri më 21 prill në periudhën kur do të kryhet regjistrimi, do të mund të vetë regjistrohen përmes një aplikimi në internet që do të jetë në dispozicion në faqen e internetit të Entit Shtetëror të Statistikave, nga 1 Mars deri më 21 Prill, 2021, njoftojnë nga Qeveria.
Këta qytetarë në regjistrim do të hyjnë në kategorinë: "popullata totale jorezidente", kategori kjo që përfshin qytetarët e RMV-së të cilët qëndrojnë jashtë vendit për më shumë se 12 muaj për punë ose arsye të tjera, si dhe anëtarët e familjeve të tyre që qëndrojnë me ta. Kushti për t’u vetë regjistruar është numri i saktë unik i identifikimit të qytetarit (EMBG). Mënyra e regjistrimit është në përputhje me Metodologjinë për përgatitjen, organizimin dhe zbatimin e regjistrimit të popullsisë, familjeve dhe banesave në RMV dhe Udhëzimet për vetë-regjistrimin e personave që janë me qëndrim jashtë vendit. Për personat që jetojnë në RMV, të cilët janë jashtë vendit gjatë kohës së regjistrimit dhe nuk janë vetë-regjistruar përmes aplikacionit në internet, regjistrimi do të kryhet në vendbanimin e këtyre të fundit, nëse në atë adresë ekziston një anëtar i rritur i familjes ose një person tjetër që mund të japë të gjitha informacionet e nevojshme për ta. Ky person është i detyruar të bashkangjisë një dokument nga i cili do të jetë e mundur të merret numri personal i identifikimit të personit që regjistrohet, e i cili do të garantojë saktësinë e të dhënave. Të dhënat jo të plota nuk do të pranohen nga aplikimi dhe mundësia e regjistrimit të personave me të dhëna të pasakta do të refuzohet," njoftojnë nga Qeveria.
